WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  AVNI RRUSTEMI
 

Avni Rrustemi (1895, Libohovë, Gjirokastër - 10 qershor 1924) - pedagog[1], mësues[2], aktivist[3], deputet[4], atentator[5], shqiptar nga Shqipëria.

Atdhetar e demokrat revolucionar i shquar, udhëheqës i shoqërisë demokratike "Bashkimi", pjesëtar i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare në prag të Revolucionit të Qershorit 1924. Hero i Popullit. Lindi në Libohovë, Gjirokastër në një familje atdhetare. Mësimet fillore i mori në vendlindje, vazhdoi në normalen e Elbasanit dhe më vonë në Shën Mitër Korone (Itali), kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës. Ndërkohë Avni Rrustemi punoi si mësues në Libohovë (1910), në TragjasVlorës (1913), në Tepelenë (1916-1917) e në Vlorë (1917-1918).

I rritur dhe i edukuar në një mjedis atdhetarësh, Avni Rrustemi u shqua si veprimtar me armë në dorë për lirinë, pavarësinë e tërësinë territoriale të Shqipërisë. Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t'u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit , më 1910 bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Më 1918 , me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin "Djalëria e Vlorës". Në krye të saj organizoi demonstratën anti-imperialiste të 28 Nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë. Në pranverë të vitit 1919Shën Mitër krijoi "Lidhjen e Rinisë Shqiptare" për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esat Pashë Toptanin, politikan me botëkuptime feudale.

Akti heroik i Avni Rrustemit në Paris, nuk ishte një atentat i thjeshtë, ai nuk kishte karakter terrorist, apo anarkist... Plumbat e Avni Rrustemit që shtrinë përdhe Pashën e Toptanit ishin sinjali, kushtrimi i Revolucionit Demokratiko-Borgjez, i një revolucioni të ri i popullit shqiptarë që po ngrihej kundër feudalizmit. Me t'u kthyer në Shqipëri, në dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri që mori emrin federata "Atdheu". Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rrustemi. Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës "Atdheu", në gusht 1922 përsëri me nismën e Avni Rrustemit më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike "Bashkimi".

Avni Rrustemi nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Idetë e tij, të formuluara në një sërë fjalimesh e artikujsh publicistikë u bënë armë e fuqishme në duart e rinisë demokratike e të masave të shtypura punonjëse. "Kur qeveria, nuk plotëson nevojat më me rëndësi që ka kombi, - thoshte ai, atëherë kjo nevojë duhet të realizohet me interesimin e pjesës së organizuar të popullit e ta bëjmë ne qeverinë që ta ndjejë këtë nevojë". Daljen e vendit nga prapambetja Avni Rrustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. "Pa pavarësi ekonomike, - shkruan ai, - nuk mund të ketë pavarësi politike". Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fodullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi.

Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vendit, reaksioni çifligar me Ahmet Zogun në krye organizoi vrasjen e Avni Rrustemit më 22 prill 1924. Me këtë akt reaksioni synonte të godiste lëvizjen demokratike-borgjeze në ngritje. Vrasja e udhëheqësit të shquar të Lëvizjes demokratike shërbeu si shkëndijë e revolucionit që triumfoi më 10 qershor 1924.

 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free