WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  KOSOVA NEN SUNDIMIN BIZANTIN
 

Ndarja perëndim-lindje e per. Romake
ndarja e parë në rite

Kosova nën sundimin bizantin

Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Kostandinopojë. Ashtu siç i kishin dhënë Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565).

Gjatë sundimit bizantin, filloi edhe përhapja në masë e krishterimit në provincën e Dardanisë. Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan edhe në provincën dardane martirë të shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj. Nga martirët më të shquar ishin edhe Lauri dhe Flori nga Dardania. Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë së re, krishterimi u afirmua në Dardani në mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar. Në Justiana Prima, qytet dardan, ndodhej kisha metropolitane e Dardanisë, ku ishte i vendosur kryepeshkopi. Peshkopata e Shkupit ishte nën varësinë e Kishës Metropolitane të Shkodrës.

Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit, Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të ri administrativ. Njësia më e madhe administrative u bë prefektura. Prefektura e Ilirikut (praefectura praetorio per Illyricum), përfshinte dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë. Në dioqezën e Maqedonisë, bënin pjesë pronvincat e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Epirit të Ri, që përfaqësonin hapësirën gjeografike të banuar nga pasardhësit e ilirëve, shqiptarët, përgjatë gjithë mesjetës e deri në kohët e reja. Funksionari më i lartë i prefekturës së Ilirikut, prefekti i pretorit për Ilirikun, e kishte selinë e vet në Selanik.

Afërsisht, në mesin e shek. V Gadishullin Ballkanik e sulmuan hunët të komanduar nga Atila. Brenda pak vjetëve ai pushtoi e grabiti shumë qytete të trevave iliro-shqiptare, në mënyrë të veçantë, Dardanin. Me qëllim që të frenonte zbritjet e “barbarëve” nga kufijtë veriorë, perandori Justinian me origjinë nga Taurisium i Dardanisë, i kushtoi vëmendje ngritjes së një sistemi fortifikatash në disa breza, që fillonte nga vija kufitare e Danubit, në veri, dhe zhvillohej valë-valë duke zbritur në drejtim të jugut. Vetëm në atdheun e tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi nga themelet 8 kështjella të tjera. Një ndër këto kështjella, e quajtur për nder të tij Justiniana Prima (Shkupi), u ngrit në vendlindjen e perandorit, Taurisium.

Ndryshe nga popujt e tjerë, dyndjet e sllavëve në Ballkan u shoqëruan me një dukuri të re, atë të ngulimeve. Në vendet e shkelura prej tyre, sllavët u ngulën duke formuar të ashtuquajturat "Sklavini" (vende të sllavëve). Në fund të shek.VI e fillim të shek. VII, Sklavini të tilla ishin formuar në Maqedoni, Traki, Thesali, Beoti e, në një numër mjaft të madh, në Peloponez. Në fillim të shek.VII, perandor Herakli lejoi vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të kroatëve dhe të serbëve. Këta të fundit zunë vendet e përshkuara nga lumenjtë Lim e Drina e sipërme bashkë me Pivën e Tarën, luginën e Ibrit dhe rrjedhën e sipërme të Moravës perëndimore. Në jug dhe në perëndim serbet kufizoheshin me diokletë si dhe me trebinjët e zaklumët sllavë. Bërthamën e vendeve ku u vendosën serbet e përbënte krahina e Rashës, në veri të Novi-Pazarit të sotëm. Në jug arrinin deri në burimet e lumit Lim. Gjithsesi, burimet historike të mesjetës së hershme, ndërsa flasin për krijimin e zonave kompakte të sllavizuara (sklavini) në viset fqinje të Dalmacisë, Rashës, Maqedonisë, Peloponezit etj., nuk përmendin ekzistencën e të tillave në katër provincat e Ilirikut Perëndimor.

Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm. Karavanet e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).

Në vitin 1054, kur u bë ndarja e kishave, trojet shqiptare që përfshinin ish provincën e Dardanisë, në pjesë të madhe kaluan në kuadër të Kishës Katolike. Katolicizmi mbeti feja dominuese për disa shekuj.

 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free