WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  LIDHJA E PRIZRENIT
 

Lidhja e Prizrenit


 

 
Pamja e sotshme e kompleksit ku u mbajtë Lidhja e Prizrenit

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqëseve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Në takim kishte edhe boshnjakë nga Bosnja dhe Sanxhaku (Shqiptare te asimiluar). Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet otoman të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit, dhe Janinës. Lidhja ishte përpjeka e a parë e madhe për të krijuar një regjion të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë.

Përmbledhje e Historisë se Lidhjes

 
Kufinjët sipas Traktatit Shën Stefanit

Lidhja u formua pas Traktatit të Shën Stefanit, i cili iu kishte dhënë tokat shqiptare Bullgarisë, Malit të Zi dhe Serbisë pas Luftës ruso-turke të vitevete ashtuquajtur Kriza Lindore 1877-1888. Prijësit shqiptarë nga Peja, Gjakova, Gucia, Luma, Dibra dhe Tetova u takuan në një qendër të Vilajetit të Kosovës që sot gjendet në Maqedoni, për të diskutuar rezistencën. Italia përkrahu një komitet italo-shqiptar për të zgjeruar nacionalizmin shqiptarë dhe fituar aleatë në Ballkan, kurse Porta e Lartë bëri të njëjtën me Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave Shqiptare në Stamboll më 1877. Anëtarët e Komitetit ishin Sulejman Vokshi, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, dhe Abdyl Frashëri. Manifesti i këtij komiteti u bë statusi i Lidhjes.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u mendua si një organizatë politiko-ushtarake që do ti ndihmonte shqiptarët për të fituar përkrahje ndërkombëtare, megjithëse së pari si regjion autonom. Traktati i Shën Stefanit u zëvendësua nga Traktati i Berlinit pas ndërhyrjes së Austro-Hungarisë dhe Britanisë. Edhe Traktati i Berlinit iu ndau tokat shqiptare fqinjëve Ballkanikë.

Në korrik 1878, bordi 60 anëtarësh i Lidhjes, i udhëhequr nga Abdyl Frashëri, iu dërgoj një letër Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, duke kërkuar zgjidhjen e çështjeve shqiptare pas luftës Ruso-Turke. Memorandumi u injorua nga Kongresi, i cili iu japi tokat shqiptare Serbisë dhe Malit të Zi. Lidhja brengosej se shqiptarët do të humbnin edhe Epirin ndaj Greqisë, prandaj edhe organizuan rezistencë të armatosur në Janinë, Guci, Shkodër dhe Prizren.

Rezistenca ishte e fuqishme sa për të ndryshuar kufijtë e vendosur nga Forcat e Mëdha dhe për të kthyer disa prej tokave të humbura, megjithëse disa toka iu dorëzuan prapë se prapë Greqisë më 1881.

Lidhja e Prizreni kishte 16.000 anëtarë të armatosur nën kontroll të cilat ia kthyen armët forcave të Sulltanit të Perandorisë Osmane pas nënshtrimit të saj në Kongresin e Berlinit dhe urdhrit të saj për shpërbërjen e Lidhjes nga frika se shqiptarët do të kërkoni pavarësi të plot. Forcat shqiptare arritën të vrasin Mehmet Ali pashën (tek shqiptarët i njohur si Maxhar Pasha) në Gjakovë në gusht 1878. Lidhja morri kontrollin nga forcat e sulltanit në qytetet e Vushtrrisë, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, dhe Gjakovës. Lidhja hodhi poshtë autoritetin e sulltanit dhe kërkoj ndarje të plotë nga Perandoria Osmane. Perandoria Osmane dërgoj prapë 15 batalione të rregullta osmane në krye me Dervish Pashën (Ahmet Muhtar Pasha), të cilat u stacionuan në Pejë, Gjakovë dhe Prizren në prill të 1881-ës. Më këtë ai i kishte shkëputur furnizimin frontit në Plavë e Guci. Pasi që forcat osmane nuk dëshironin të i ndihmonin malazezët më shumë edhe përkundër presionit të Rusisë, forcat e lidhjes mbesin të pa furnizuara në front kundrejt forcave malazeze.

Shqipëria dhe Traktati i Shën Stefanit

Fillimet e Rezistencës Shqiptare

Themelimi i Lidhjes

Artikulli kryesor: Themelim i Lidhjes me 10 qershor 1878

Një nga çështjet kryesore, që u shtrua gjatë pranverës së vitit 1878, në mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i lidhjes shqiptare, karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët radikalë, ashtu dhe qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin e saj udhëheqësit politikë vendosën të shfrytëzonin traditën e lashtë shqiptare. Sipas kësaj tradite, sa herë që vendin e kërcënonte rreziku i jashtëm, secila krahinë thërriste kuvendin e vet krahinor dhe pastaj përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm, i cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen ndërkrahinore ose lidhjen e përgjithshme. Ekzistenca, në pranverën e vitit 1878, e besëlidhjeve lokale ose e komisioneve të vetëmbrojtjes, e lehtësonte punën e udhëheqësve politikë. Duhej vetëm thirrja e kuvendit të përgjithshëm dhe organizimi me sukses i punimeve të tij. Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare të moderuara, Ali bej Gucia (më vonë: Ali pashë Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar i vjetër i Tanzimatit e i Traktatit të Shën-Stefanit. Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren. Nga viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët sulltanistë. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, bënë që në ato kaza, ku banonin në mënyrë të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake (bullgarë të islamizuar), të caktoheshin si delegatë edhe mjaft pashallarë e bejlerë sulltanistë. E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike. Personalitetet shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë osmane, Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre dhe të armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri), pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen : Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha ; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas. Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra (Qoku)?. Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Ndryshe nga këta, delegatët, që i takonin krahut sulltanist, u përpoqën që organizata që do të themelohej të kishte një karakter islamik e jo kombëtar shqiptar dhe t’ia nënshtronin atë interesave të Stambollit. Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë (i vilajetit të Janinës). Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës. Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve sulltaniste, ashtu edhe me trysninë e autoriteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishën në këtë tubim. Të dyja këto forca u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar. Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave financiare (Sulejman Vokshi). Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindëse.

Lufta e Armatosur e Lidhjes

Sipas vendimeve të kuvendit Forcat e Armatosura të Lidhjes së Prizrent duhej të ishin diku 190.000 trupa të organizuar në 380 batalione.

Artikulli kryesor: Veprime Ushtarake te Lidhjes

Pasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit, besëlidhjet lokale ose komisionet e vetëmbrojtjes, që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë në degë të Lidhjes Shqiptare. Në ato krahina, ku ato mungonin, u organizuan mbledhje të posaçme, të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Për të shpejtuar lidhjet ndërmjet tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën telegrafike, madje, nëpërmjet telegrafistëve atdhetarë, edhe shifrazhin sekret telegrafik.

Në fund të gushtit u dërgua në Shqipëri mareshali Mehmet Ali pashë Maxhari si komisar me fuqi të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë, i shoqëruar nga një adjutant i sulltanit. Ai u porosit që, para se të shkonte në kufi, ta bindte Komitetin e Lidhjes të mos e kundërshtonte dorëzimin e Plavës e të Gucisë dhe të mos i sillnin atij pengesa në zbatimin e Traktatit të Berlinit.

Aksioni i Gjakovës

Artikulli kryesor: 1 - 3 shtator 1878

Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra menjëherë në kontakt me anëtarët e organeve qendrore e ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare. Më 31 gusht ai u nis për në Gjakovë i shoqëruar nga tri batalione ushtarësh turq, duke kërkuar nga Mitrovica që t’i dërgonin në ndihmë edhe një batalion tjetër. Edhe në Gjakovë ai thirri më 1 shtator në një mbledhje krerët e degës së Lidhjes, të cilët u përpoq t’i bindte që t’i nënshtroheshin vullnetit të sulltanit. Por këtu ai gjeti një qëndrim më të rreptë. Me përjashtim të kryetarit të degës së Lidhjes, Abdullah pashë Drenit, i cili si përfaqësues i krahut sulltanist u bashkua me Maxhar Pashën, të gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr nga patriotët e vendosur Sulejman Vokshi e Ahmet Koronica, e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më tej rrugën drejt kufirit malazez. Sapo morën vesh nisjen e tij, udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare për Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjigjën mijëra malësorë të armatosur. Më 1 shtator, nën drejtimin e Ali pashë Gucisë, ata u grumbulluan në malin Erenik, duke zënë rrugën që kalonte prej Gjakove në Plavë e në Guci. Në këto rrethana, Mehmet Ali pasha e shtyu marshimin për në kufi dhe u struk në sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë. Pas kësaj, për t’i dhënë një paralajmërim tjetër më të prerë, po atë mbrëmje qytetarët e malësorët gjakovarë, rreth 4 500 veta të armatosur, të cilët i qenë përgjigjur kushtrimit të Lidhjes Shqiptare, lanë malin Ereç dhe zbritën në qytet, ku rrethuan sarajet e Abdullah pashë Drenit. Të nesërmen, më 2 shtator 1878, një delegacion gjakovarësh u paraqit përsëri te Abdullah pashë Dreni dhe i dha një ultimatum prej 24 orësh që ta përcillte mareshalin nga kishte ardhur. Të dy pashallarët shpresuan se me gjashtë kompanitë, rreth 600 veta që mbronin sarajet, me 30 trimat që kishin me vete dhe me ndihmat që prisnin t’u vinin nga Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre, do ta shtypnin kryengritjen. Në të vërtetë atyre u erdhën vetëm 70 malësorë nga Fandi i Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre.

Më 3 shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth 4 500 kryengritës, që mbanin të rrethuar sarajet, filluan sulmin. Përleshja ishte e ashpër dhe me humbje të mëdha për të dyja palët. Në mbrëmje u bë një armëpushim prej 24 orësh për të rifilluar bisedimet, të cilat vijuan gjatë natës dhe gjatë ditës së nesërme, por pa ndonjë rezultat. Në mbrëmjen e 4 shtatorit rifilluan luftimet. Më 5 shtator gjendja e të rrethuarve u keqësua, pasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u dorëzuan. Batalioni që u nis nga Mitrovica për t’i ardhur në ndihmë Maxhar Pashës u shthur rrugës dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë shqiptarë, u bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878, pas një sulmi të rreptë që ndërmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e kompanive turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Pastaj kryengritësit arritën t’u vënë zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe Abdullah pashë Dreni mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit. Me vrasjen e tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare. Gjatë këtij luftimi treditor të dyja palët patën humbje të mëdha, të rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500 veta.

Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë

Artikulli kryesor: tetor 1879-janar 1880
Shiko dhe Kënga e Karadakut
tetor,

Kënga e Karadakut

Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë

 
Shko te: navigacion, kërko

Kënga e Karadakut është një këngë e vjetër qytetare krijuar pas Lidhjes së Prizrenit që këndohej në tokat veriore shqiptare e që tregon ngujimin e forcave të armatosura të sunduesit të malazezve, të quajtur car Nikolla. Kënga bazohet në ngjarje të vërteta historike dhe e përshkruan betejën e Karadakut në Podguricë.

Deri në vitet 2007 në festat familjare të njohura si Bankete në Gjakovë është pjesë e repërtuarit standard të grupeve muzikore që përkujdesen për argëtimin e të ftuarve.

Teksti i nxjerrur nga kënga e dëgjuar në banket e kënduar nga Zenel Doli dhe Shkëlzen Jetishi:

Elife, elife1 ije seljamet e tamon
Gjithë shqiptart, o janë çu në kam
Of, amon-amon
Kush t`don hije, t`nimon me vdekë hej amon
Karadag hajde t`bohet beja
Kush t`don ije, nimon me vdekë hej amon
Karadag hajde t`bohet beja
T`ejten proma ije, en dy sahati amon
Dojn me i ra o katunit t`ri
Of amon-amon
Lul Tiraja ije, Pogdgoricës amon
ja rrethoj, hajde, fuqit n`kala
Lul Tiraja ije, Pogdgoricës amon
ja rrethoj, hajde, fuqit n`kala
Moj kalaja ije, e Mendunit amon
qe sa motë em ke met rrethum
Of, amon-amon
Mi ke shkambëzit ije, si gur mermeri amon
S`munet shkau hajde, me ti zaptu
Mi ke shkambëzit ije, si gur mermeri amon
S`munet shkau hajde, me ti zaptu
Çka i ka thon ije, shkina Nikollës amon
se qishtu o se kem kujtu
Of, amon-amon
Asçer po vjen ije, prej Kosovës ije amon
dita-ditë po vjen o t`uj u shtu
Asçer po vjen ije, prej Kosovës ije amon
dita-ditë po vjen o t`uj u shtu
Ngul kadale ije, Kam-katili amon
Se hala o s`ke vujt përgjyst
Of, amon-amon
Kur ta merr he ije, shqipja dlirimin amon
Bjeshkë e male ka mej përmys
Kur ta merr ije, shqipja dlirimin amon
Bjeshkë e male hajde, ka mej përmys


------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Gjatë muajit tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta. Këtyre masave Lidhja e Prizrenit iu përgjigj duke vënë në gatishmëri luftarake forcat e saj të armatosura.

Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni Ushtarak a Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës.

Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i propozoi Cetinës që në vend të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë t’i jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin e Stambollit, të cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali i Zi.

31 tetor - 1 nëntor

Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31 tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për t’i sistemuar. Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës.

4 dhjetor 1879

Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri.

Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi përfundimisht knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte kundër forcave të Lidhjes Shqiptare një mësymje të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e parë të muajit janar 1880. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan përballë Plavës e Gucisë

Shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë Gucia, përqendroi në zonën kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë, gjithsej 7 mijë veta.

6 janar - 9 janar

Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të frontit forcat vullnetare të komanduara nga Mark Milani, të cilët do të fillonin sulmin sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë sukses përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze ishin përqendruar në një sektor të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që t’i shpartallonin shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim të Plavës. Por Shtabi Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë të papritur iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave të tyre prapa shpine e tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në sektorin e Plavës, shpërthyen më 8 janar një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në Arzhanicë.

Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja ishte e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e trup më trup forcat malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë, u detyruan të tërhiqeshin. Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë malazeze të komanduara nga Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë në dorë Arzhanicën, Velikën e Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Velikë e në Pepaj, prandaj përpjekja e 8 janarit mori emrin e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq në Sutjeskë. Por Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend të vazhdonte përparimin në thellësi të tokës së Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në kufirin e vjetër.

Gjatë betejës së Pepajt e të Velikës, të dyja palët patën dëme në njerëz, por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët lanë në këto luftime edhe dy kapedanët trima, Kurt Asllanin e Nure Kurtin.

Për këtë arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë se i kishte pezulluar veprimet luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të Berlinit në këtë pikë po ua linte përsëri në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi nga konsulli britanik në Shkodër që të ndërhynte pranë autoriteteve qeveritare të vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët t’i pezullonin veprimet e mëtejshme luftarake.

Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës

Artikulli kryesor: 22 prill 1880

Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do ta miratonin projektin “Korti”.

Më 11 prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, formoi Shtabin Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu kolonel Hodo Sokoli me anëtarëve si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi etj., dhe krerë malësorë si Dedë Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj.

Më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.

Më 19 prill 1880 Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e Veriut.

Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i takonin Malit të Zi. Forcat shqiptare i zunë këto pika para se të afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze.

Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur ndërmjet tyre.

Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg të Selishtit. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht. Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë disa të vrarë e të plagosur.

Duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze,Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës vendosi t’i mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz.

Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin që t’i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur rrugën forcave malazeze.

Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e artileri.

Shtabi i Shkodrës dhe Shtabi i Kosovës i propozojnë Komitetit Kombëtar të Lidhjes për sulm, mirpo Komiteti nuk e refuzonë lëtë me mendimin që presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin Protokollin e Stambollit

Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij.

Lista e pjesëmarrësve në Lidhjen e Prizrenit

 

Pjesëmarrësit e Lidhjes së Prizrenit janë:
- Pjesëmarrësit e Kuvendit të Lidhjes së Prizreit më 10 qershor 1878.

 A

  • Abdullah pashë Dreni - Gjakovë
  • Abdyl Frashëri - kryetar i komisionit të jashtëm - përfaqsues i lidhjes (në Evropë)
  • Ahmet Koronica - Gjakovë
  • Ali bej Gucia - Guci
  • Ali bej Tirana
  • Ali Ibra
  • Ali pashë Draga

 B

  • Binak Alia
  • Baca-Kurti Gjokaj nga Malesia e Madhe

 Ç

  • Çelë Shabani

 F

  • Filip Doda

 H

  • Hasan pashë Tetova
  • Haxhi Shabani - kryesues i punëve të brendëshme[1]
  • Haxhi Zeka - Pejë

 I

  • Iljaz pashë Dibra - krytar i kuvendit

 J

  • Jashar bej Shkupi

 M

  • Mehmet Ali Pashë Vrioni - përfaqsues i lidhjes (në Evropë)

 O

  • Omer Pashë Vrioni

 S

  • Sali Jaha - përfaqësues të Rugovës
  • Shuajip Spahiu apo Shaip Spahiu, nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit
  • Sulejman Vokshi - kryetar i komisionit për financa - Gjakovë

 Sh

  • Shaban bej Peja
  • Shaban bej Prizreni
  • Sheh Mustafa Tetova

 Y

  • Ymer Prizreni - kryetar i komisionit organizator të Kuvendit - Prizren[2]
  • Zija bej Prishtina
  • ...
     
 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=