WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  MBI PERSONALITETIN
 

MBI PERSONALITETIN  

Të gjitha proceset psikike, siç janë: të perceptuarit, të menduarit, të ndjenjave, të mësuarit, të motivacionit etj. janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, pra varën njëra nga tjetra dhe ndikojnë në njëra tjetrën.Individi, duke kaluar nëpër këto procese psikike, gjatë periudhave të ndryshme të jetës, formon veti të caktuara personale.
Duke i vërejtur këto veti gjatë aktivitetit të individit, ne vërejmë mënyrën e veçantë të sjelljeve, që është karakteristike për të. Këto veti karakteristike, mënyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve të njerëzve dhe të çdo individi, si manifestohen, si zhvillohen dhe nga cilët faktor varën ato, i studion Psikologjia e personalitetit.
Sikurse të gjitha funksionet psikike, edhe personaliteti e ka bazën e vetë biologjike, sepse çdo njeri lind me karakteristika trashëguese të caktuara. Edhe pse faktorët biologjik kanë rëndësi të posaçme për zhvillimin e personalitetit, janë vetëm bazë e nevojshme për zhvillimin e mëtejmë të tij. Rol vendimtar luajnë faktorët e rrethit, e para se gjithash, faktorët social. Prandaj edhe theksohet se personaliteti është dukuri, jo vetëm psikologjike, por edhe sociale. Kushtet sociale, e para së gjithash aktivitetet me njerëz, janë të domosdoshme për t’u zhvilluar individualiteti njerëzorë në qenie humane, pra në qenie e cila ka karakteristika, që i përfillim si karakteristike njerëzore.
Numri i faktorëve, si ndikim në bazën e dhënë biologjike për formimin e cilësive të personalitetit, është mjaft i madh si: ambienti dhe kushtet familjare (në të cilat rritet fëmija), shkolla, moshatarët, mësuesi, të njohurit, organizatat dhe shoqëria në të cilat ai është anëtar, dhe roli që ka në to, literatura dhe filmat, bashkëshortësia dhe marrëdhëniet bashkëshortore, profesioni dhe suksesi në këtë profesion, pozita sociale, kultura në të cilën rritet dhe jeton, sistemi shoqëror i bashkësisë etj. etj.
Zhvillimi i personalitetit ndahet në katër perioda: mosha e fëmijërisë, e rinisë, e pjekurisë dhe e pleqërisë.
Shumë ekspertë të psikologjisë mendojnë, se rol vendimtarë për formimin e cilësive të personalitetit luajnë kushtet e jetës familjare në ditët e para të fëmijërisë. Studimet kanë treguar, se kushti më i mirë për zhvillimin e personalitetit të pjekur dhe të shëndosh, është qëndrimi i përzemërt dhe i ngrohët i prindërve, por edhe njëfarë rigoroziteti në evitimin e pasojave të pakënaqshme të reaksioneve tek fëmijët.
Moment tjetër i rëndësishëm për zhvillimi e cilësive të personalitetit është edhe fillimi i parë shkollor, që përbën një ndër bazat shumë të rëndësishme në zhvillimin e personalitetit dhe karakterit të mëvonshëm të individit. Ardhja e fëmijës në shkollë, është ardhje në një rreth të ri, me kërkesa të reja, dhe me më shumë obligime, në të cilat ai duhet të gjendet, pasi ato ndryshojnë dukshëm prej kërkesave familjare me të cilat ai është mishëruar. Gjithashtu, rol me rëndësi në këtë periodë luan edukatori, mësuesi ose pedagogu. Mësuesi, si edhe prindërit paraqesin modelin, në të cilin fëmija merr shembull. Me sjelljet, veprimet, gjestet, qëndrimet etj. ata i japin kahjen e mëtejme fëmijës, drejt formimit të cilësive të personalitetit.
Perioda tjetër, shumë e rëndësishme është mosha e rinisë, e cila karakterizohet me dy momente: Zhvillimin fiziologjik dhe zhvillimin social.
Në zhvillimin fiziologjik bie në sy rritja e gjatësisë së trupit dhe shtimi në peshë; paraqitja e karakteristikave seksuale dhe disa kriza psikologjike në lidhje me këtë moshë etj. Ndërsa në zhvillimin social, paraqiten interesime dhe qëndrime të reja mbi jetën; zhvillohet ndjenja e vetëdijes dhe nevoja e pavarësimit, si dhe formohen pikëpamje mbi çështjet e rëndësishme shoqërore etj.
Për kapërcimin e kësaj periode, e cila është e mbushur me trauma e probleme të ndryshme psikike e fizike, dhe për marrjen e kahjes vendimtare drejtë cilësive të qëndrueshme të personalitetit (qoftë pozitive, apo negative), ndikim parësor luajnë: faktorët e fëmijërisë së hershme, qëndrimet e prindërve dhe edukatorëve, pikëpamjet dhe normat shoqërore si dhe shumë faktor tjerë social.
Nga zhvillimi i faktorëve të sipërpërmendur varet edhe perioda tjetër vijuese - mosha e pjekurisë. Kjo periodë zgjat deri në moshën 50 vjeçare, dhe përbën periodën më të gjatë në jetën e individit. Në këtë periodë bëhet edhe zgjedhja dhe zgjidhja e problemeve më rëndësishme për jetën e njeriut, si: zgjedhja e profesionit, formimi i koncepteve mbi jetën, martesa dhe krijimi i familjes, që ngrit ndjenjën e përgjegjësisë dhe i jep jetës kuptim më serioz në vazhdimësinë e formimit të mëtejmë të cilësive të qëndrueshme të personalitetit. Në këtë periodë, individi krijon koncepte të qëndrueshme për dukuritë e përgjithshme, pavarësisht të çfarë drejtimi janë ato, prioritare apo herezike, të përputhshme me logjikën e shoqërisë apo jo etj., dhe e ka shumë të vështirë që t’i ndryshoj ato koncepte.
Perioda e fundit është mosha e pleqërisë, e cila fillon nga vitet e 50-ta, dhe karakterizohet me personalitet të qëndrueshëm, në kuptim të plotë. Studimet e fundit kanë treguar se në moshën e pleqërisë, aktivitetet psikike zvogëlohen shumë pakë (ose aspak), në krahasim me ato fizike. Kjo dukuri ndikon në psikologjinë e të moshuarve. Pasi ata nuk janë në gjendje të kryejnë aktivitete fizike, deri sa ato psikike i kanë aktive, fillojnë të tërhiqen në vetvete, largohen prej ambientit dhe e ndiejnë vetën, herë-herë si të tepërt në shoqëri. Pra, këtë moshë e karakterizon personaliteti i mbyllur (mbyllja në kornizat vetjake). Prandaj është shumë i nevojshëm angazhimi i shoqërisë dhe qëndrimi konstruktiv ndaj personave në këtë moshë.
Nga kjo analizë që e bëmë më lartë, mund të konkludojmë se zhvillimi i cilësive të qëndrueshme të personalitetit varet nga shumë faktorë. Këto cilësi karakterizojnë, personalitetin ose karakterin e individit, ndërsa bashkimi i individëve indigjen, formon shoqërinë (kolektivitetin) e që ne e quajmë KOMB. Kjo do të thotë, se pasqyrimi i karakterit individual është edhe pasqyrim i karakterit kolektiv, pra pasqyron sjelljet, zakonet, vlerat kulturoro-artistike, inteligjencën etj, të një kombi. Prandaj edhe lind pyetja: sa i njohim dhe sa merremi ne shqiptarët me këta faktor për kultivimin e një shoqërie me personalitete të shëndosha?
 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=