WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  MBRETËRIA DARDANE
 

Mbretëria Dardane

Artikull : Emërtimi Dardania
Artikull : Etimologjia e emërvendit Demastion
Artikull : Mbretëria e Dardanisë

Në shek.IV p.K. u krijua Mbretëria Dardane, e cila shtrihej në territorin e Kosovës së sotme e të krahinave të tjera përreth. Kufijtë e saj shkonin në veri deri t qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit.

Mbreti i parë dardan që njohim, është Longari. Pas tij erdhën mbretërit Bato dhe Monun. Rolin kryesor në mbretëri e luajti fisi i dardanëve. Në këtë mbretëri bënin pjesë edhe fise të tjera, ndër të cilat njohin galabrët dhe thunatët. Mbretëria Dardane kishte krijuar një ushtri të fuqishme dhe të organizuar shumë mirë. Veçori e luftëtarëve dardanë ishte se ata hidheshin të gjithë së bashku në sulm dhe po kështu së bashku tërhiqeshin me radhë të shtrënguara, duke mos lënë në sheshin e luftës as të plagosurit e tyre. Forca e kësaj ushtrie u tregua sidomos në shek.III p.K., kur dardanët qenë në gjendje të mbroheshin nga dyndjet e fuqishme të keltëve, të cilët zbritën nga Evropa Qendrore. Madje dardanët treguan gatishmërinë të ndihmonin edhe Maqedoninë, që të përballonte këto sulme.

Në mesin e shek. III p.K., kur sundonte mbreti Longar, ushtritë dardane u përpoqën të shtrinin kufijtë e tyre deri në brigjet e Adriatikut, duke shfrytëzuar faktin që ushtritë ardiane të mbretëreshës Teuta ndodheshin në Epir. Ky operacioni ushtarak fillimisht pati sukses, por me kthimin e ushtrive ardiane nga Epiri, dardanët u detyruan të lëshonin tokat e pushtuara e të ktheheshin në kufijtë e mëparshëm. Pas kësaj Longari i drejtoi ushtritë e tij në jug dhe pushtoi tokat e Mbretërisë Paione, që ndodheshin në veri të kufijve të Maqedonisë.

Rreth vitit 21 p.e.s. luftimet ndërmjet dardanëve dhe maqedonasve morën përmasa të gjera, aq sa mbeti i vrarë në betejë edhe mbreti maqedonas Demetri II. Pas vdekjes së tij, dardanët i shpeshtuan sulmet në Maqedoni, derisa Antigon Dozoni i detyroi të largoheshin nga mbretëria e tij. Kur mbreti maqedonas Filipi V ndodhej në luftë me grekët, në vitin 219 p.e.s., dardanët vërshuan përsëri kundër Maqedonisë. Ushtritë maqedonase u detyruan të ktheheshin në trojet e tyre dhe për të përforcuar kufijtë veriorë pushtuan qytetin më të madh të Paionisë, Bylazorën (Velesi). Në vitin 216 p.K. ushtritë dardane ndërmorën një operacion të fuqishëm ushtarak kundër Maqedonisë, duke zënë 20 000 robër. Ata zbritën deri në fushën e Argos, në brigjet e lumit Haliakmon. Kjo fushatë u ndoq nga kundërsulme të reja që bëri Filipi V kundër dardanëve, duke u shkaktuar atyre humbje të rënda në ushtri. Në vitin 200 p.K. mbretërit dardanë Longar e Bato, së bashku me ardianët e mbretër të tjerë, lidhën aleancë me romakët kundër Maqedonisë. Kjo i shtyu dardanët të ndërmerrnin sulme të reja në jug të kufirit të tyre. Dardanët nuk i pushuan luftërat për të çliruar tokat që ndodheshin në jug të mbretërisë së tyre, toka që dikur i përkisnin Mbretërisë Paione dhe që i mbante të pushtuar Maqedoninë.

Luftërat e dardanëve kundër romakëve për shumë vjet me ashpërsi shumë të madhe, në rrethanat kur senati romak synonte të shtrinte pushtimet e tij në të gjitha tokat ilire dhe të arrinte deri në Danub. Edhe pas shqetësimeve që u shkaktoi rifillimi i sulmeve kelte, dardanët i vazhduan inkursionet e tyre kundër Maqedonisë, cila ishte kthyer tashmë në provincë romake.

Dardania u bë pengesë serioze për shumë vjet me radhë për ushtritë pushtuese romake. Megjithëkëtë në vitin 97 p.e.s. romakët arritën të vinin nën varësi të përkohshme dardanët dhe fise të tjera fqinje, të cilat më vonë i ripërtërinë forcat dhe u shkaktuan humbje të rënda romakëve. Pas luftërave të gjata me romakët, nga fundi i shek.I p.e.s. dardanët e humbën pavarësinë e tyre dhe hynë nën varësinë e plotë të Romës.

 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free