WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  RECETA PËR GATIM
 
Makarona me peshk ton      
  11/05/2009 23:05
 

Përbërësit për 2 persona:

* 250 gr makarona flutur
* 60 gr ose një kuti konserve peshku ton
* 2 speca jeshil apo të kuq
* një grusht majdanoz
* 2 luge vaj ulliri
* lëngu i një limoni
* 2-3 thelpinj hudhre
* kripë, piper i zi

Udhëzime për përgatitje

Në një tenxhere zieni makaronat. Në anën tjetër pritini hollë specat, shtojini sipër thelpinjtë e grirë hollë të hudhrave, vajin, lëngun e limonit, kripën, piperin, majdanozin dhe peshkun ton të cilit ia keni hequr vajin më përpara. Së fundmi përziejini këto me makaronat e sapoziera (të cilave nuk do t’i keni hedhur yndyrë tjetër!).

___________________________________________

Pilaf me mish dhe vezë      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit:

* Oriz (100 gram )
* Mish viçi
* 2 kokrra vezë
* Domate
* Erëza (sipas dëshirës)
* Kripë, piper

Përgatitja:

Zihet mishi dhe me lëngun e mishit përgatitet dhe pilafi (pilafi i ka masat 1 me 2, dmth. 1 gotë oriz donë 2 gota ujë të ngrohtë. Në fillim vihet pak gjalpë apo vaj ulliri dhe përzihet orizi gjeri sa të marr një ngjyrë tjetër (dmth të lyhet n’vaj) dhe i hidhet uji. Në rast se nuk doni të përdorni vajra, atëherë mund ta bëni me verë të bardhë.

Ndërkohë që pilafi zien me zjarr të ulët për 20 minuta, mishi vihet për t’u skuqur.
Pasi të kenë mbaruar të gjitha këto, pilafi hidhet në një pjatë të gjerë. Rrihen vezët dhe mund t’i hidhni erëza dhe barishte, dhe përzihet me orizin.
Hahet sa më shpejt, sepse është më e shijshme.

____________________________________________

Supë me mish, vezë dhe limon      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit

* mish tul; sa të dëshironi
* 2 karota
* majdanoz sipas dëshirës
* një filxhan me oriz supe
* kripë (sipas nevojës)
* piper i zi
* 1 kokërr vezë
* 1 gjysmë limoni

Udhëzime për përgatitje

E marrim mishin dhe e hedhim në tenxhere të ziej. Pasi të jetë zier mirë e nxjerrim nga tenxherja dhe me duar e thërrmojmë në copa shumë të vogla. Më pas marrim tiganin dhe i hedhim vajin.

Qërojmë karotën, e presim hollë, e vëmë të skuqet në tigan dhe bashkë me karotën e vëmë mishin të skuqet.

Pasi t’i kemi skuqur i hedhim në tenxheren që e ziejmë mishin. Hedhim orizin e majdanozin dhe i lëmë të ziejnë. Më pas marrim vezën, e hedhin në pjatë, shtrydhim gjysmën e limonit. Ndërkohë duhet të trazojmë supën deri sa të bëhet gati.

____________________________________________

Desert me dredhëza      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit:

* 1/2 kg dredhëza të freskëta ose nga frizi,
* 100 gr sheqer,
* 1 qeskë krem të rrahur.

Përgatitja:

Shtypen dredhëzat me sheqer në blender,ose kalohen në sitë.

Derdhen në 6 pjata të vogla.

Në mes vihet nga një lugë krem i përgatitur. Kremit mund t’i shtohet pak pure dredhëzash duke e përzier me pirun.

Përreth hidhet nga një lugëz krem. Vizat tërhiqen me rrëmojëse ose majë thike.

Në vend të kremit të rrahur, në mes mund të vihen toptha akulloreje.


____________________________________________

Qofte me salcë domatesh      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit:

* 1/2 kg.mish të bluar,
* 1 qepë në rende,
* 1 vezë,
* majdanoz të grirë hollë,1 lugë mustardë, kripë, piper dhe vaj për skuqje.

Për salcë nevojiten:

* 4 domate,
* 3 lugë vaj,
* 1 qepë e kaluar në rende,
* 3 thelpinj hudhre,
* erëza sipas dëshirës,nenexhik, feslixhen ose rigon.

Përgatitja:

Në masën e mishit të bluar, hidhet qepa e kaluar në rende, vezë e tundur, kripë, piper, majdanoz, mustardë.

Masa përzihet mirë dhe ndahet në qofte të cilave u jepet forma e rrumbullakët ose vezake dhe palosen në enë qelqi, të lyer me yndyrë, e mandej futen në furrë të nxehtë për t’u pjekur.

Në fultere ose tenxhere me yndyrë të nxehtë,fërgohet qepa dhe hudhra e grimcuar.

Kur qepa merr një ngjyrë të kuqërremtë shtohen domatet e qëruara dhe të prera në kubik të vegjël, erëzat, kripa dhe piperi.

Salca e zier hidhet mbi qofte të pjekura, futet edhe për disa çaste në furrë dhe shërbehet.

____________________________________________

Paragjellë orizi me perime- Ora      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit:

* 200 gr oriz,
* 3 vezë,
* 2 tranguj turshi,
* 1 spec i kuq turshi ose i freskët,
* 1 filxhan bizele,
* 200 gr majonezë ose ajkë,
* 50 gr kaçkavall,
* kripë, lëng limoni,1 lugë mustardë (senf) dhe disa kokrra ulliri.

Përgatitja:

Në tenxhere me dy litra ujë të nxehtë me kripë, zihet orizi për 15-20 minuta, shpërlahet me ujë të ftohtë dhe kullohet mirë. Vezët zihen 8 minuta prej çastit kur fillon të vlojë uji, qërohen, priten në 12 rrathë të bukur (për orë).

Pjesët e mbetura priten në pjesë të imëta, sikurse edhe specat, trangujt, kaçkavalli dhe përzihen mirë e me kujdes me djathë, bizele të ziera, oriz, lëng limoni dhe me gjysmën e ajkës ose majonezës.

Masa e përgatitur derdhet në një pjatë të cekët,të rrumbullakët,paksa më të madhe. Sheshohet mirë, lyhet me ajkë dhe mbi radhiten 12 copat e vezëve të prera në rrathë. Nga kokrrat e ullirit priten pjesë të gjata dhe në çdo vezë vihen numrat prej 1-12.

Në mes vendoset një rrepkë e kuqe ose domate, nën të vihen akrepat e prerë nga lëvorja e trangullit. Sallata përreth mund të zbukurohet me fletë sallate të gjelbër,kopër,rrepka të kuqe ose ullinj.

Kjo paragjellë, që mund ta zëvendësojë darkën, zbukurohet sipas shijes së amvisës. Kjo paragjellë, si dhe sallatat e tjera,mund të përgatitet edhe në mungesë të ndonjërit nga artikujt e përmendur.

Është atraktive sidomos nëse servohet kur edhe është ora e caktuar për t’u ngrënë.


____________________________________________

Tullumbat      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 9 filxhan kafeje ujë,
* 1 filxhan kafeje vaj,
* një majë thike kripë,
* 7 filxhan kafeje miell,
* 3 filxhanë kafeje niseshte,
* 1 pluhur paste,
* 6 kokrra vezë,
* 1 litër vaj.

Sherbeti: 1 ½ kg. sheqer, 7 ½ dcl ujë, 1 lëng limoni, 1 sheqer vaniljeje. Sherbeti vlon 7 min.

Uji vlon me një majë thike kripë dhe 1 lugë vaj. Largohet nga zjarri. Hidhet mielli i përzier me niseshte dhe pluhur paste. Përzihet mirë dhe prapë kthehet në zjarr që të fërgohet gjersa të mos ndahet nga luga dhe ena. Pasi të ftohet brumi, i hidhen vezët një nga një duke tundur mirë me mikser, gjersa të fitohet një brumë i njëllojtë. Një litër vaj hidhet në tenxhere për t’u nxehë. Me brumin e përgatitur mbushet forma e dhëmbëzuar dhe nëpërmjet saj nxirren tullumbat drejtë në yndyrë të nxehtë. Hidhen pjesë-pjesë dhe fërgohen nga të gjitha anët gjersa të zverdhen në ngjyrë ari. Nëse skuqen shpejtë, ulet pak zjarri. Hiqen nga vaji me lugë të shpuar dhe futen drejt në sherbet të ftohur. Gjersa të fërgohen të dytat, të parat qëndrojnë në sherbet, pastaj largohen nga sherbeti dhe palosen në një enë të thellë, e kështu veprohet gjersa të harxhohet i tërë brumi. Sherbeti që mbetet hidhet mbi tullumba, në mënyrë që ato të lagen plotësisht në sherbet. Shërbehen me shurup trëndafili, limonadë, bozë etj. Shije të veçantë kanë nëse shërbehen 2-3 për person të vendosura në misuri mbi tamëloriz.

____________________________________________

Fli Kosove      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 2 kg miell,
* 400 gr mazë ose gjalpë,
* 3 dcl ajkë ose kos i trashë,
* kripë, ujë.

Përgatitja:

Në enë 5-6 litërshe, hidhen ujë, kripë dhe duke e tundur i shtohet mielli i situr, gjersa të gatuhet një brumë më i hollë se i petullave (sa të mvishet gishti). Në tepsi të nxehtë, të lyer me yndyrë, hidhet në shirita me xhezve brumi i përgatitur, nga rrethi i tepsisë deri afër mesit. Piqet nën saç,ose në furrë,shkalla e lartë,e kyçur vetëm pjesa e sipërme e furrës në temperaturë të lartë. Posa të marrë një faqe ngjyrë të verdhë dhe pikla të kafenjta, spërkatet me mazë ose yndyrë të bashkuar me ajkë ose kos dhe gjalpë. Hidhet përsëri një shtresë brumi tashmë në të njëjtën mënyrë por midis dy rrathëve në vende të zbrazëta. Piqet, lyhet me mazë për të vazhduar në të njëjtën mënyrë, gjersa të harxhohet i tërë brumi. Pasi të piqet e tëra, sipërfaqja e flisë lyhet mirë me yndyrë dhe tepsia vendoset në prush,mbulohet me saç,ose futet në furrë të kyçur në tërësi,në shkallën e ulët,për t’u pjekur përfundi edhe 15-20 minuta në temperaturë të lartë. Shërbehet me djathë, kos, turshi, mjaltë etj.

___________________________________________

Supë-krem me kokë peshku      
 11/05/2009 23:05
 

Përgatitja:

Priten në copa të vogla,1 qepë, 3 patate, 1 rrënjë majdanozi, 1 presh. Fërgohen në gjalpë ose margarinë. Shtohen 3-4 kokë dhe eshtra peshku, 10 kokrra piper, 2 fletë dafine, 2 kokrra karafil, 1 litër ujë dhe ¼ lit. qumësht.

Këto zihen në temperaturë të ulët 30 minuta. Largohen kokat e eshtrat nga supa dhe pastrohet mishi nga to. Supa kullohet dhe vihet në zjarr. 1/4 qumësht tundet me 1 të verdhë veze, 2 lugë ajkë, 2-3 lugë lëng limoni, 1 lugë worçester-salcë, 1 domate e kaluar në rende, 2 lugë të rrafshuara niseshte dhe i hidhet supës duke e përzier vazhdimisht. Supës i shtohen mishi dhe një gotë perime të ziera, sikurse: karotë, bizele, lulelakër dhe majdanoz i grirë hollë.

____________________________________________

Tortë “Margarita”      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 8 vezë,
* 8 lugë sheqer,
* 8 lugë miell,
* lëvore limoni.

Kremi i parë:

* 300 gr arra të bluara,
* 1,5 dcl qumësht,
* 150 gr margarinë i zbutur,
* 5 lugë sheqer pluhur,
* 100 gr çokollatë ose dy lugë kakao.

Kremi i dytë:

* 2 dcl qumësht,
* 1 puding vanileje,
* 3 lugë sheqer,
* 2 sheqer vanileje,
* 200 gr margarinë,
* 3 lugë sheqer pluhur.

Përgatitja:

Përgatitet patishpani me përbërësit e sipërshënuar dhe derdhet në tepsi të shtruar me letër shporeti. Piqet në furrë me temperaturë 200 gradë Celsius. Pasi të piqet, përmbyset në pecetë të lagur dhe largohet letra sa është patishpani i nxehtë. Posa të ftohet, lyhet me fillin e parë i cili përgatitet duke i lagur arrat e bluara me qumësht të valë. Shtohen çokollata e shkrirë, margarina e tundur me 5 lugë sheqer pluhur, pastaj të gjitha përzihen mirë, gjersa kremi të bëhet i njëllojtë. Me kremin e përgatitur lyhet sipërfaqja e patishpanit të ftohur, mbështillet në roladë dhe futet në frigorifer.

Përgatitet një puding me 2 dcl qumësht të valë dhe 3 lugë sheqer. Shtohen 3 të verdha të vezëve duke e tundur masën vazhdimisht. Veçantë tundet margarina e zbutur me 5 lugë sheqer pluhur dhe i shtohet masës së pudingut të ftohur. Të bardhat e vezëve tunden në bore të qëndrueshme, i shtohen kremit të ftohur,duke i përzier të gjitha mirë, gjersa të fitohet një krem i njëllojtë. Rolada pritet në 24 pjesë. Palosen në formë luleje në tri radhë nga 7 copa anash dhe nga një në mes. Të tri radhët lyhen me kremin e përgatitur. Në mes vihet një kapak kavanozi,që mesi të mbetet i verdhë,kurse pjesët e tjera përmbi dhe anash, lyhen me krem të rrahur të bardhë.

____________________________________________

Salmon me salcë domatesh      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 4 fileta salmoni nga 150 gr,
* 3 dcl vaj ulliri,
* 1 qepë,
* 4-5 domate të mëdha,
* 2-3 thelpinj hudhre, kripë, 1 lugëz e rrafshuar sheqer, disa fletë fesligjen (borzilok),
* 50 gr gjalpë,
* 1/5 kg spinaq të freskët, disa kokrra ulliri, majdanoz,
* 3 dcl verë të bardhë,
* 2 lugë uthull,
* 1 lugë gjalpë,
* 1 lugë miell,
* 2 dcl qumësht.

Përgatitja:

Çdo copë e salmonit pritet horizontalisht në tri fileta. Kriposen, u hidhet vaj ulliri dhe qëndrojnë në vend të ftohtë.
Qepa e grirë në rende fërgohet 4 minuta në vajin në të cilin është marinuar salmoni. Shtohet hudhra, përzihet 2-3 herë sa ta lëshojë aromën, pastaj shtohen domatet e qëruara dhe të prera në katrorë të vegjël. Në zjarr të ngadaltë zihen domatet 40 minuta. Para përfundimit, hidhet1 lugëz sheqer, kriposet sipas shijes dhe hidhet fesligjen i prerë imët ose i tharë. Në vend të salcës së përgatitur, mund të përdoren 4 lugë pure domatesh e gatshme, por ajo e përgatitur, është më e shijshme.

Spinaqi i përvëluar e i kulluar fërgohet në gjalpë 2 minuta. Në një lugë gjalpë fërgohet mielli 1-2 minuta. Shtohet qumështi dhe, duke e përzier vazhdimisht, vlohet salca edhe 3-4 minuta gjersa të trashet.

Në tepsi të lyer me yndyrë radhiten 4 fileta salmoni, mbi vihen fleta spinaqi, pastaj beshamelli e mbi të purea e domateve. Prapë vihet nga një filetë salmoni, spinaq, beshamell dhe mbulohet me salmon. Hidhen verë dhe uthull dhe futet në furrë të nxehtë me temperaturë 200 gradë C për t’u pjekur për afro 15 minuta. Salmoni i pjekur vendoset në 4 pjata e përreth, derdhet lëngu në të cilin janë pjekur. Zbukurohet me ullinj dhe fleta majdanozi.

____________________________________________

Tavë Elbasani      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 1 kg mish qengji,
* 1 kg kos të trashë ose të përzier me ajkë,
* 2 lugë gjalpë,
* 2-3 thelpinj hudhër të shtypur,
* 8-10 kokrra vezë,
* 2 lugë miell,
* kripë, vegetë, specall, piper.

Përgatitja:

Nëse është mish qengji i ri, pritet në copa racioni, kriposet, vendoset në tavë me yndyrë të nxehtë dhe futet në furrë për t’u pjekur. Kohë pas kohe, nëse ka nevojë, i shtohet nga pak ujë i nxehtë. Në të kundërtën, hidhet në tenxhere për t’u zier, e gjysmë i zier, vendoset në tavë, ku i hidhet pak supë dhe dy lugë gjalpë. Futet në furrë të nxehtë me temp. 200ºC që të piqet. Ndërkohë tunden vezët me kos, shtohen hudhrat e shtypura, mielli i ulur në pak ujë dhe lëng mishi, kripa, vegeta, piperi. Tavës me mish i hidhet një lugë specall, pastaj mbi mish derdhet masa e përzier e vezëve dhe rrafshohet në tërë tavën. Futet në furrë edhe për disa çaste, sa të mpiksen vezët, por të mbesin të buta. Shërbehet e nxehtë.

____________________________________________

Toptha me arra të bluara      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 100 gr gjalpë
* 100-150 gr sheqer pluhur
* 1 vezë (e freskët)
* 150 gr çokollatë
* 150 gr arra të bluara
* 2 lugë supe rum
* 50 gr arra të grimcuara
* 50 gr bajame të grimcuara
* 50 gr çokollatë e grimcuar

150 gr çokollatë shkrihet mbi avull. Tundet gjalpi i zbutur me mikser. Shtohet sheqeri pluhur, veza dhe vazhdon tundja gjersa masa të bëhet e njëllojtë. Hidhet çokollata e shkrirë dhe e ftohur pak, rumi, si dhe arrat e bluara të cilat përzihen mirë gjersa masa të homogjenizohet. Futet në frigorifer ½ ore, pastaj nxirren me lugë të vogël dhe bëhen goglat me madhësi sipas dëshirës (afro 35 copë). Topthat kalohen në çokollatë, arra dhe bajame të gjitha të grimcuara.

Nëse topthat përgatiten në çast dhe brumi është pak i hollë, shtohet 1 lugë arra ose keks i bluar.

____________________________________________

Pulë e mbushur me oriz      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit:

* 1 pulë afro 1 ½ kg
* 1 filxhan çaji oriz (basmati)
* 100 gr gjalpë
* 1 qepë
* 1 lugë mustardë(senf)
* kripë, piper
* vegetë, ruzmarin të freskët ose të tharë

Pula pastrohet, fshihet, lyhet nga të gjitha anët me mustardë. I hidhet kripë, piper, vegetë dhe ruzmarinë. Në ndërkohë, zihet orizi 10 min. në ujë me kripë. Qepa e grirë imët, fërgohet në 50 gr gjalpë gjersa të zbutet. Hidhet orizi i kulluar, fërgohet pak me qepë, hidhet pak kripë e vegetë dhe me këtë masë orizi, mbushet pula. Vendoset në tavë ku do të piqet, mbi i hidhet pjesa e mbetur e gjalpit e nxehur mirë,por jo e djegur dhe ½ gotë ujë. Pula mbulohet me alufolie dhe futet në furrë të nxehtë me temp.200 gradë Celsius për t’u pjekur 1 orë.

Zbulohet nga folia, laget me lëngun të cilin e lëshon gjatë pjekjes dhe vazhdon të piqet edhe 30 min. gjersa të skuqet mirë.

Shërbehet me mbushjen dhe sallatë sipas dëshirës.

____________________________________________

Speca të tharë të mbushur me groshë      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 300 gr groshë
* 1 qepë
* 1 filxhan kafeje oriz
* 50 gr arra të bluara
* 12 speca të tharë, më të mëdhenj
* 4 lugë pure domatesh ose salcë më të dendur
* gjalpë ose vaj ulliri
* piper i kuq dhe i zi, kripë, vegetë
* disa fletë naneje ose nane e tharë,sipas dëshirës ruzmarinë dhe erëza të tjera.

Grosha ulet në mbrëmje, pastaj derdhet uji i valës së parë dhe zihet në zjarr të ulët gjersa të zbuten kokrrat. Fërgohet qepa gjersa të zbutet. Hidhet specall (biber i kuq), 3/4 e salcës së domateve dhe në atë masë derdhet grosha pa ujë. Hidhet kripë, piper, vegetë, nane, erëza sipas dëshirës, arrat e bluara dhe orizi. Masa përzihet me kujdes në mënyrë që kokrrat e groshës mos të ndrydhen. Specat pastrohen nga farat,përvëlohen dhe në valë qëndrojnë afro ½ orë. Me masën e groshës mbushen specat. Hidhet salca e mbetur e përzier me ujë, përderisa të mbulohen specat dhe pak vegetë mbi speca. Tava futet në furrë të nxehtë me temperaturë 200 gradë Celsius shkalla e ulët e furrës dhe piqen për ½ orë. Shërbehet me pogaçe ose bukë misri.

____________________________________________

Tortë me çokollatë      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit:

* 8 vezë,
* 8 lugë sheqer,
* 8 lugë miell,
* 3 lugë kakao,
* 100 gr gjalpë,
* 1 pluhur paste,
* 400 gr çokollatë,
* 4 dcl ajkë të ëmbël,
* 3 lugë liker portokalli ose lëvore portokalli e kaluar në rende,
* fletë çokollate për zbukurim.

Përgatitja:

Tunden të bardhat e vezëve në shkumë të qëndrueshme. Shtohen të verdhat një nga një duke i tundur vazhdimisht me mikser. Mielli përzihet me pluhur paste e kakao dhe, duke e përzier brumin me lugë,qitet pak e nga pak. Shtohet gjalpi i shkrirë e i ftohur dhe përzihet me lugë gjersa masa të kompaktësohet. Brumi derdhet në kallëp për tortë të shtruar me letër të yndyrshme dhe futet në furrë të nxehtë me temperature 180ºC për t’u pjekur për 50 min. Pasi të piqet,qëndron në furrë edhe një orë gjersa të ftohet.

Ndërkohë, shkrihet çokollata e grimcuar në enë të vendosur mbi avull. Veçmas tundet ajka gjersa të bëhet një masë e dendur. Shtohet çokollata e shkrirë e ftohur dhe me mikser tundet së bashku me ajkë gjersa të fitohet një masë e njëllojtë.

Torta pritet horizontalisht në tri pjesë dhe lyhet në mes, mbi dhe anash me kremin e përgatitur. Zbukurohet sipas dëshirës ose sikurse në foto me trëndafil të sheqerosur dhe gjethe çokollate.

____________________________________________

Skuqje e shpejtë me pak vaj      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 500 gr perime të ndryshme: karota, kungulleshka, presh, bishtaja, speca ngjyrash të ndryshme, shparguj, kërpudha, qepujka, 2 lugë vaj, 1/2 lugë gjalpë, kripë, piper, erëza të përziera.

Përgatitja:

Perimet lahen, fshihen dhe priten përafërsisht në pjesë të njëjta. Karotat dhe kungulleshkat priten shumë hollë në rrathë. Perimet është mirë të fërgohen në wok pau (enë kineze me fund masiv të lakuar), por në mungesë, ato fërgohen në tigan të madh tefloni. Nxehet ena në zjarr të fuqishëm. Hidhet yndyra dhe sa të nxehet, derdhen perimet. Kriposen, piperosen, hidhen erëzat dhe fërgohen 3-4 minuta duke i përzier. Kësaj mase i shtohet 1 lugë salcë domatesh, specall djegës sipas dëshirës dhe fërgohen edhe 1 minutë. Perimet e fërguara shpejtë dhe me pak vaj, shërbehen me mish, pilaf, vezë etj.

____________________________________________

Strudel klasik me petë shtëpie      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit për brumin:

* 225 gr miell i ashpër
* 1 majë luge kripë
* 1 vezë
* 2 lugë vaj
* disa pikë limoni
* 70 gr gjalpë

Në gropë mielli hidhet kripa, veza, vaji dhe lëngu i limonit. Duke e përzier brumin me lugë, hidhet nga pak ujë i vakët, sa të gatuhet një brum i butë i cili rrahet me lugë gjersa të shkëputet nga ena. Brumi derdhet në tavolinë të përmiellur dhe ngjeshët gjatë, por duke pas kujdes që ai të mbetet i butë. Rrahet për tavoline gjersa të fitojë elasticitet. Në formë topi vendoset në mbulesë bezi të përmiellur dhe mbulohet për 30 min që të qëndrojë në temperaturë ambienti. Çarçafi përmiellet, me hollues të nxehur hollohet peta,pastaj hapet me duar, duke pasr kujdes që mos të ngjitet për bezi dhe mos të shkëputet. Peta hapet duke i futur duart nën të deri sa të hollohet në trashësi letre. Priten skajet.

Mbushja me mollë:

• 1 kg mollë të qëruara dhe të prera në katrorë të vegjël,
• nga 3 lugë rrush të terur të zi dhe të bardhë, (rrushi ulet në rum të përzier me ujë në kohëzgjatje prej 30 min.) ose 300 gr vishnje të pastruara nga bërthamat,
• 75 gr sheqer,
• 1/2 lugëz kanellë, lëvore portokalli e kaluar në rende,
• 50 gr bajame ose arra të bluara,
• 50 gr galetë e fërguar në gjalpë.

Përbërësit përzihen dhe shpërndahen mbi sipërfaqen e petës së holluar dhe të prerë në formë katërkëndëshi. Me anë të çarçafit mbështillet peta në roladë. Vendoset në formë patkoi ose në mënyrë diagonale në tepsi të lyer me yndyrë. Lyhet me gjalpë dhe futet në furrë të nxehtë me temp. 190ºC për t’u pjekur për 30-40 min. Që të pengohet tharja e strudelit, mbulohet me alufolie. Para se të shërbehet,i hidhet sheqer pluhur.


____________________________________________

 Princes krofne      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 1 filxhan kafeje vaj,
* 2 filxhanë kafeje ujë,
* 100 gr miell (1 gotë 2.1/2 dcl),
* 1/2 qeskë pluhur paste,
* 4 vezë.

Kremi: 1 litër qumësht, 10 lugë supe sheqer, 8 lugë miell, 2 vezë, 1 sheqer vanileje.

Përgatitja:

Vlohet uji me yndyrë. Largohet ena nga zjarri dhe, duke e përzier, hidhet gradualisht mielli i përzier me pluhur paste. Ena kthehet në zjarr për t’u fërguar brumi gjersa të shkëputet nga luga dhe ena. Brumi ftohet, pastaj hidhen vezët një nga një duke e tundur brumin me mikser ose me lugë druri në masë të njëllojtë. Me kaush ose me lugë të mesme, në madhësi të një arre, të larguara njëra nga tjetra, vendosen topthat në tepsi të shtruar me letër të yndyrshme. Futen në furrë të nxehtë me temperaturë 200 gradë C për t’u pjekur për 30-35 minuta. Nuk çilet furra edhe 20 minuta pas pjekjes. Nëse dëshirohen krofne-mjellma, nga brumi i mbetur, me kaush të hollë kuzhine, formohen disa “qafa” mjellmash në formë të shkronjës S. Piqen në temperaturë 180 gradë C për 10 minuta, pastaj qëndrojnë në furrë deri sa të ftohen.

Të verdhat e vezëve, sheqeri, mielli, sheqeri vanilje dhe 1 gotë qumësht i ftohtë, tunden me mikser. Masa derdhet në qumështin e nxehtë, duke e përzier kremin vazhdimisht me tel kuzhine gjersa t’i marrë disa valë dhe të trashet. Të bardhat e vezëve tunden në shkumë të qëndrueshme dhe bashkohen me kremin e ftohur duke e përzier me lugë gjersa masa të bëhet homogjene. Krofnet e pjekura priten horizontalisht përgjysmë dhe mbushen me kremin e ftohur. Nëse përgatiten “mjellmat”, korja e sipërme pritet përgjysmë, mbushen me krem, e në mes vendoset qafa në mënyrë që të marrë formën e mjellmës. Mbi hidhet sheqer pluhur.

Nga i njëjti brumë dhe krem, përgatiten profiterolet dhe moka ekler’s.

_____________________________________________

 Speca të mbushur      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 1 kg mish i bluar,
* 100 gr oriz,
* 2 qepë,
* 200 gr gjalpë,
* 1lugë ajkë,
* 1vezë,
* majdanoz, kopër, specall, kripë, piper, vegetë, speca për mbushje.

Përgatitja:

Lahen dhe pastrohen specat nga bishtat dhe farat. Orizi zihet në ujë të njelmët 10 minuta, shpërlahet me ujë të ftohtë dhe kullohet mirë. Në yndyrë të nxehtë hidhen qepët e grira imët. Fërgohen gjersa të zverdhen. Hidhen specall, mishi i bluar, orizi gjysmë i zier, kripë, piper, veza e tundur me ajkë dhe majdanozi i grirë imët. Yçi përzihet mirë dhe me të mbushen specat. Mbyllen me domate të prera në copa të vogla. Mbi u hidhen domate të prera imët, vegetë, 1 gotë ujë dhe tava me speca futet në furrë të nxehtë me temperaturë 220 gradë C për t’u pjekur gjersa të shteret lëngu dhe të skuqen specat.

Me të njëjtin yç mund të mbushen specat e kuq të tharë. Specat e tharë ulen në ujë vale disa minuta, kullohen, pastaj mbushen me kujdes. Zihen në tenxhere me pak ujë, ose piqen në furrë në tavë dheu, të mbuluar me kapak ose alufolie.

_____________________________________________

 Byrek me katmer      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

Për byrek preferohet miell i ashpër, i cili përmban gluten dhe ka elasticitet. Për 1 kg miell duhen afro 500-600 ml ujë, 1 lugë kripë, 2 lugë vaj dhe 250 gr gjalpë.

Mbushja me spinaq: 1 kg spinaq, 250 gr djathë i bardhë i troshitur, 4 vezë, 1/2 kg kos i trashë ose ajkë kosi, kripë sipas dëshirës.

Përgatitja:

Në mes të miellit hapet një gropë ku hidhet pak kripë, 2 lugë vaj dhe gradualisht ujë. Duke e përzier nga mesi, gatuhet një brumi butë, i cili ngjeshët sa më gjatë në tavolinë të përmillur. Brumi mbulohet me pecetë të lagur dhe lihet 20 min. që të zbuten proteinat dhe brumi të fitojë elasticitet në mënyrë që petët të hapen mirë. Gjysma e brumit ndahet në kuleq të vegjël, të cilët hollohen në petë madhësie të një pjate të vogël. Çdo petë lyhet me yndyrë dhe vendoset njëra mbi tjetrën duke i hapur ato në katmer. Në tepsi të lyer me yndyrë, shtrohet katmeri duke i ngritë skajet rreth tepsisë. Mbi i hidhet e përhapet nga të gjitha anët mbushja dhe mbulohet me pjesën tjetër të petëve të hapura. Skajet rreth tepsisë mbështillen sa më hollë brenda. Byreku lyhet me yndyrë dhe futet në furrë të nxehtë me temperaturë 200º C. Pasi të largohet nga furra mbulohet me pecetë, e pas 20 minutash shërbehet.
Mbushja mund të bëhet me spinaq, presh, kungull, qepë, mish të bluar, lakra të bardha dhe turshi, patate, me të brendshmet e qingjit (mëlçi, mushkri, zemër, veshkë) etj.

_____________________________________________

 Tavë me mish qengji dhe perime      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit:

* 1 1/2 kg mish qengji nga brinjët,
* 2 kg domate,
* 1/2 kg speca,
* 1/2 kg bamje,
* vaj ulliri ose gjalpë, kripë, vegetë, piper, fletë dafine, 1 tubë majdanoz.

Përgatitja:

Kyçet furra në 250º Celsius. Në tavë dheu ose tepsi të përshtatshme, vendoset mishi i prerë në copa. Bamjet fërgohen në vaj gjersa të zbuten pak. Specat pastrohen nga farat dhe priten në copa. Domatet priten në copa të vogla. Hidhen kripë, piper dhe të gjitha pasi përzihen mirë, hidhen mbi masën e mishit. Ulet temperatura në 200 ºC dhe ena futet në furrë të nxehtë për 30 minuta, pastaj largohet nga furra për t’i hedhur yndyrën. Në furrë me temperaturë 180 ºC vazhdon pjekja e ngadalshme, gjersa të shtirret lëngu por jo i tëri dhe të jetë zbutur mishi.
Shërbehet me bukë të vogla mbrume ose pogaçe.

____________________________________________

 Sallatë me ton e brokoli      
 11/05/2009 23:05


 

Përbërësit:

• Sallatë e gjelbër,
• ton-konservë,
• kokrra misri të ziera,
• kaçkavall i prerë në katrorë të vegjël,
• lulelakër e gjelbër (brokoli),
• domate,
• kripë, uthull molle, vaj ulliri.

Përgatitja:

Brokoli vlohet 5 minuta. Toni grimcohet. Mbi fletë sallate të vendosura në pjatë, radhiten domatet e prera në rrathë. Toni, misri dhe kaçkavalli përzihen dhe derdhen në mes të pjatës. Aty këtu vendosen edhe lulet e brokolit. Me përzierje vaji, uthulle dhe kripë, spërkatet sallata disa minuta para servimit.

____________________________________________

 Kurorë me mish qengji      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit për brumin:

* 500 gr miell,
* 80 gr margarinë,
* 1 lugë maja,
* 1 lugë e vogël sheqer,
* 2 vezë,
* 2.5 dcl qumësht, kripë.

Për kurorë:

* Afro 2.5 kg mish qengji (dy palë brinjë),
* 200 gr gjoks pule ose mish qengji i prerë në kubik të vegjël,
* 2 lugë ajkë të thartë,
* 1 tubë qepë të njoma,
* 1 kungulleshkë e vogël,
* 2 lule të ndara lulelakre,
* 50 gr gjalp ose vaj ulliri,
* majdanoz i grirë hollë, ruzmarinë, kripë, vegetë, piper,
* 1 vezë për lyerje.

Përgatitja:

Zinet brumi me përbërësit e lartpërmendur dhe vendoset në vend të ngrohtë që të vijë. Mishi kriposet, fërkohet me mëlmesa sipas shijes. Zhvishen brinjët, u jepet forma e kurorës duke i bashkuar të dy palët e brinjëve dhe lidhen me spango kuzhine. Majat e brinjëve veç e veç mbështillen me folje, në mënyrë që gjatë pjekjes ato mos të nxihen. Nëse qengji është i moshës shumë të re,vendoset në tepsi të lyer me yndyrë, në mesin e zbrazët të kurorës futet një enë e vogël me pak ujë, që ta ruaj formën. Mbulohet me alufolje dhe futet në furrë të nxehtë me temp.200 gradë C për t’u pjekur për afro 40 min. Në të kundërtën, vendoset në tenxhere të gjërë me pak ujë që të zihet për ½ ore e pastaj me kujdes vendoset në tepsi që të piqet në furrë edhe ½ ore. Ndërkohë përgatitet mbushja. Mishi i zhveshur nga brinjët, ose mishi i pulës, fërgohet me qepë gjersa të zbutet. Shtohen perimet, ajka dhe mëlmesat. Kurora gjysmë e pjekur largohet nga furra, mbushet mesi i zbrazët i kurorës me yçin e përgatitur nga copëzat e mishit me perime dhe futet në furrë për t’u pjekur edhe 20 min. Brumi i ardhur ndahet në tri pjesë të cilat hollohen në tre shirita dhe thuren në formë gërshete. Mishi i pjekur largohet nga furra për t’u ftohur pak, pastaj mbështillet me gërshetë brumi. Pasi të vijë pak brumi, lyhet me vezë të tundur dhe prapë futet në furrë për t’u pjekur së pakut edhe ½ ore së bashku me mishin kurorë.

____________________________________________

 Savarin me rrush të tharë      
 11/05/2009 23:05
 

Përbërësit për brumin:

• 350 gr. miell,
• 1/2 qeskë maja,
• 4 lugë qumësht,
• 50 gr. gjalpë i shkrirë,
• 2 vezë,
• 1 vanilje,
• lëvore portokalli e kaluar në rende,
• 1 majë thike kripë,
• 50 gr. rrush të tharë më parë të ulur në rum.

Për shurupin:

* 150 gr. sheqer,
* 1,5 dcl rum,
* lëngu i një portokallit,
* 3 lugë marmelatë portokalli ose kajsie,
* 2-3 dcl ajkë qumështi,
* disa flegra portokalli për zbukurim.

Në masën e miellit të situr, hidhet maja e ardhur me qumësht të vakët. Shtohen vezët e tundura, sheqeri vanilje, lëvorja e portokallit, kripa, gjalpi. Të gjitha përzihen mirë dhe brumi ngjeshët gjersa të fitohet një brumë i lëmuar. Shtohet rrushi, ngjeshët edhe pak brumi dhe zgjatet në formë salami, pastaj i jepet formë kurore. Brumi i përgatitur vihet në tepsi-kallëp në formë kurore të lyer me yndyrë, me diametër 20 cm. (në mungesë të kallëpit, në mes të tepsisë vihet një gotë e lyer me yndyrë në mënyrë që ta ruaj hapësirën e mesit, e para se të futet në furrë, largohet gota). Skajet bashkohen mirë. E mbuluar me plastmasë, qëndron në vend të vakët 1 orë gjersa të dyfishohet masa e brumit. Kallëpi vihet në tepsi dhe futet në furrë të nxehtë me temperaturë 190 gradë C. Piqet 30 min.
Sheqeri vlon me 3 dcl ujë gjersa të shkrihet, pastaj shtohen lëngu i portokallit, rumi, dhe në zjarr të ulët vlon edhe 10 min. Shtohen disa flegra portokalli dhe vazhdon të vlojë edhe 2-3 min. Savarini i pjekur dhe i ftohur shpohet në disa vende, dhe me lugë i hidhet sherbeti i nxehtë. Pas 40 min. vendoset në pjatë ku do të shërbehet. Marmelata nxehet me 2 lugë ujë dhe me të lyhet ëmbëlsira. Në mes zbukurohet me ajkë të tundur,kurse përreth me flegra portokalli të ziera në sherbet.

____________________________________________

       
 
 
 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=