WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  ISA BOLETINI
 



Isa Boletini (1864- 1916), atdhetar i shquar, strateg popullor, organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë.

Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Për këtë arësye u thirr në Stamboll, ku u mbajt i izoluar deri më 1906. Isa Boletini përkrahu revolucionin xhonturk të vitit 1908, ishte një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajt (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Iu kundërvu politikës reaksionare e antishqiptare të xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore antiosmane të viteve 1910-1912. Udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë1910, mbështeti kryengritjen antiosmane të v. 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë më 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail QemalitVlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemali shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët "Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia". Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halili dhe Zahidi, nipërit Jonuzin dhe Haliti dhe tre luftëtarë të tjerë. (F. M.)

 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free