WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  KOSOVA NEN PERANDORINE OSMANE
 

Kosova nën Perandorinë Osmane shek.XV - shek.XVIII

Vendosja e sistemit të timarit dhe çifligjeve

Zgjerimi i Perandorisë Osmane, bëri të nevojshëm ndryshimin e organizimit të saj shtetëror. Në përfundim të këtij riorganizimi, territoret e gjithë perandorisë u ndanë në 32 ejalete, që ishin njësi më të vogla administrative. Krahinat e Gadishullit Ballkanik u përfshinë në tri ejalete: ejaleti i Bosnjës në veri të gadishullit, ejaleti i Rumelisë në qendër dhe ejaleti i Detit në ishujt e detit Egje dhe në një pjesë të bregdetit jugor. Çdo ejalet u nda në një numër sanxhakësh. Territoret e Shqipërisë bënin pjesë në ejaletin e Rumelisë. Ato u ndanë në disa sanxhakë. Numri, shtrirja dhe emërtimi i tyre ka ndryshuar herë pas here. Sanxhakut të Shkodrës, të cilit më 1499 i ishin shtuar krahina të Malit të Zi dhe në fillim të shek. XVI edhe krahina të Rrafshit të Dukagjinit, iu shkëput krahina e Gjakovës, që i kaloi sanxhakut të Dukagjinit; sanxhakut të Vlorës iu shkëputën krahinat e Delvinës dhe të Çamërisë, me të cilat u krijua sanxhaku i Delvinës. Sanxhakët e Elbasanit, të Ohrit, të Dukagjinit, të Prizrenit, të Vuçiternës, të Shkupit dhe të Janinës mbetën siç ishin më parë. Çdo sanxhak ishte një unitet administrativ e ushtarak që përfshinte timaret, ziametet dhe forcat e tyre ushtarake përkatëse.

Kosova, gjatë kësaj periudhe, njohu një zhvillim të madh ekonomik. Klasa kryesore sunduese, ishte klasa ushtarake, për të cilën punonte klasa punëtore që quhej raja. Nga gjysma e dytë e shek. XVIII, krahas bejlerëve si pronarë çifligjesh dalin tregtarë, veçanërisht në qytetin e Shkodrës. Në fund të shek. XVIII u dalluan familje të mëdha çifligare, si: Begollajt në Pejë, Rrotullarët në Prizren, e të tjerë. Në shek. XVII-XVIII edhe pronat e institucioneve fetare myslimane e të krishtera morën formën e çifligjeve. Ato u zgjeruan në radhë të parë nga dhurimet e shtetit dhe të besimtarëve.

Rezistenca ndaj pushtimit osman - pushtimi i përkohshëm austriak

Kryengritjet e shumta të organizuara në trojet shqiptare, gjetën deri diku solidarizim edhe në trojet shqiptare të Kosovës. Gjatë viteve 1670-1680, banorët e sanxhaqeve të Prizrenit dhe Dukagjinit, u solidarizuan me sanxhaqet e tjera shqiptare, në mosmbledhjen e taksave të shtetit osman.

Një pjesë e banorëve, përkrahu edhe ushtrinë austriake e cila filloi pushtimin e trojeve shqiptare, duke e mposhtur ushtrinë osmane. Angazhimi i shqiptarëve në anën e austriakëve u bë më i dukshëm në pranverën e vitit 1689, kur konti Ludvig Badeni, komandant i frontit austriak vendosi të pushtonte Nishin dhe nëpërmjet Prokupjes të kalonte në Kosovë. Nëpërmjet Prizrenit dhe Kukësit, ai desh të dilte në Shkodër e në detin Adriatik për të ndarë Bosnjën e Hercegovinën nga Porta e Lartë. Me një thirrje të veçantë konti i Badenit ftoi popujt e Ballkanit për t’u bashkuar me ushtrinë e tij. Kur forcat ushtarake hynë në tokat ballkanike, në to u përfshinë serbë, bullgarë, grekë e shqiptarë. Në afërsi të Nishit u zhvillua një betejë e ashpër (24 shtator 1689), e cila përfundoi me fitoren e austriakëve.

Pas kësaj fitoreje një pjesë e ushtrisë austriake në krye me gjeneral Pikolominin u nis për në Kosovë, ku u prit nga shqiptarët. Kur Pikolomini hyri në Prishtinë, shqiptarët e Kosovës deklaruan se ishin me perandorin. Pikolomini të njëjtën situatë ndeshi edhe në Prizren. Banorët e qytetit i dolën përpara dhe e pritën me nderime. Rreth 5 000 shqiptarë me kryepeshkopin e tyre, Pjetër Bogdanin, e përshëndetën me breshëri të shtënash. Burimet austriake, angleze e papale pohojnë se pranë Pikolominit ishin mbi 20 000 shqiptarë. Sipas një përllogaritjeje 5 000 veta ishin nga Prishtina, 3 000 veta nga Peja, 6 000 nga Klina dhe Drenica, 6 000-8 000 veta nga Prizreni.

Shqiptarë të tjerë të palidhur me ushtrinë austriake vazhdonin kryengritjen. Kur forcat austriake hynë në Prizren, 3 000 kryengritës shqiptarë morën Pejën. Sapo gjenerali Pikolomini kaloi në Shkup (25 tetor 1689), shqiptarët shprehën gatishmërinë për të hyrë nën mbrojtjen e austriakëve. Një grup kryengritës u nis drejt Tetovës për të pastruar krahinën nga forcat osmane, që ndeshën në rezistencë në Kaçanik. Ndërkohë forca tatare nga Krimea hynë në Prishtinë, por u thyen nga shqiptarët e Prishtinës.

Sipas burimeve osmane me austriakët ishin bashkuar: Peja, Prizreni, Tetova, Shtipi, Prishtina, Vuçiterna, Kosova (Belasica), Jenipazari (Pazari i Ri), Mitrovica, Shkupi, Çiçaku, Plevla, Jagodina, Kumanova etj. Pas vdekjes së gjeneral Pikolominit (nëntor 1689), shqiptarët nuk u trajtuan si duhet nga austriakët dhe u larguan nga ushtria austriake. Si pasojë osmanët rikthyen sundimin në tokat e Kosovës. Në fillim ra Prishtina, më vonë Prizreni, Peja.Me ushtrinë austriake u larguan nga Kosova shumë kryengritës, besnikë të Austrisë. Dokumentet e komandës së lartë ushtarake tregojnë se nga forcat që u vunë përkrah forcave austriake, dy grupe ishin më kryesorët: shqiptarët dhe “serbët”, por faktor dominues ishin shqiptarët. Në këtë rast kryengritësit e Kosovës, që u bashkuan me austriakët dhe që u shpërngulën më pas, ishin thuajse të gjithë shqiptarë.

 
 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free