WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  PUSHTIMI I KOSOVES NGA PERANDORIA OSMANE 1385-1479
 

Pushtimi i Kosovës nga Perandoria Osmane 1385 - 1479

Fillimi i pushtimit osman në Kosovë

Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare nisën në mesin e viteve 80 të shek. XIV. Të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelisë, Timurtash Pasha, në vitin 1385 ushtritë osmane, u futën në Shqipëri dhe pushtuan qytetet e Shtipit, të Prilepit, të Manastirit dhe të Kosturit. Në vitin 1386 osmanët pushtuan Nishin. Knjazi serb i Rashës, Llazari Hrebelanoviçi mori nismën dhe ftoi sundimtarët e tjerë ballkanas që të bashkonin forcat e tyre për të ndalur marshimin osman. Thirrjes së tij iu përgjigjën disa prej sundimtarëve shqiptarë, si Gjergji II Balsha, sundimtar i Shkodrës, Teodor II Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë, Dhimitër Jonima, zot i trevave përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren, Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve rreth tij, sundimtarë të Shqipërisë së Poshtme etj. Me ta u bashkuan edhe sundimtarë të tjerë ballkanas si dhe sundimtari i Kosovës Vuk Mlladenoviqi, që zakonisht njihet me mbiemrin Brankoviçi (Vuk Brankoviçi). Zotërimet familjare i kishte në pjesën veriore të Drenicës dhe të Fushë-Dardanisë. Trupat shqiptare kishin një peshë të rëndësishme në forcat e koalicionit ballkanik. Kronikat osmane, që përshkruajnë këtë ngjarje, theksojnë numrin e madh të ushtrisë së Gjergjit II Balsha dhe e cilësojnë atë si njërin prej tre sundimtarëve kryesorë të koalicionit antiosman, krahas knjazit Lazar dhe vojvodës Vllatko Vukoviqit, komandant i ushtrisë së mbretit Tvërtko I të Bosnjës.

Në qershor të vitit 1389 ushtritë e koalicionit ballkanik u bashkuan në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë). Në çastin e fillimit të betejës, V. Brankoviçi i largoi trupat e veta nga koalicioni. Më 15 qershor ballkanasit zhvilluan një betejë të përgjakshme me forcat osmane të komanduara nga sulltan Murati I. Pas disa sukseseve të para të ushtrive të koalicionit, fitorja në këtë betejë anoi përfundimisht nga osmanët, por me humbje njerëzore të mëdha nga të dyja palët. Gjatë zhvillimit të betejës vritet sulltan Muratin I. Beteja e Fushë-Dardanisë la mbresa të fuqishme te shqiptarët e Kosovës, të cilët i përjetësuan ato në këngë popullore.

Disfata e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 pati rrjedhime të rënda për popujt e Gadishullit të Ballkanit. Pushtuesit osmanë e kthyen në vasal të tyre sundimtarin e Kosovës, Vukë Brankoviçin, të cilin, në fillim të vitit 1392, e detyruan t'u dorëzonte Shkupin, e më pas Zveçanin (kështjellë pranë Mitrovicës) etj.

Fillet e përhapjes së Islamit

Në kushtet e mungesës së një kishe kombëtare shqiptare, që do të ndikonte shumë në ruajtjen e unitetit fetar te shqiptarët, një pjesë e konsiderueshme e fisnikërisë dhe e shtresave të tjera, që jetonin në Shkup, Manastir dhe në qytete të tjera të Kosovës, filluan të përqafonin masivisht Islamin. Konvertimi në Islam i shqiptarëve i shkëputi shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën sllave dhe greke), duke ndërprerë kështu vrullin e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit të shqiptarëve. Gjithashtu islamizimi u dha mundësi shqiptarëve që të integroheshin në jetën e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në një farë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike.

Rezistenca ndaj pushtimit osman

Derisa pushtuesi osman shtrihej në tokat shqiptare, një pjesë e fisnikërisë, arriti të ruante zotërimet duke u shndërruar në vasalë të Sulltanit. Megjithatë, në vitin 1443, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (i biri i Gjon Kastriotit), i ndihmuar nga vëllai i madh Stanisha, mori kështjellën e Krujës dhe me këtë e filloi kryengritjen e përgjithshme, e cila rezultoi më vonë në krijimin e shtetit shqiptar. Skënderbeu, morri nën kontroll edhe rajonin malor në jug të Shkupit dhe me këtë edhe rrugën Shkup - Kërçovë.

As fisnikët e tjerë nuk qëndruan duarkryq. Familja Spani mori kështjellën e Pazarit të Ri dhe atë të Zveçanit, ndërsa Dukagjinët e morën Pejën. Stefan Gjurashi, u zgjerua dhe vendosi qendrën e tij në Zhabiak. Për një kohë të shkurtër fisnikët shqiptar morën nën sundim Rrafshin e Dukagjinit, Drenicën, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jeliçës (Sanxhakut), të Gentës (Zeta) e të tjerë. Kulmi i këtyre përpjekjeve ishte Besëlidhja Shqiptare e Lezhës me 2 mars 1444, që bashkoi fisnikët nën drejtimin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Aty morën pjesë, përveç Kastriotëve edhe familjet e mëdha si: Arianitët, Topiajt, Balshajt, Dukagjinët, Spanët, Zahariasit, Muzakajt, Gropajt, Dushmanët, Gjurashët (Cërnojeviqët) etj.

Në vitin 1479, dhjetë vite pas vdekjes së Skënderbeut, të gjitha trojet shqiptare, ranë nën sundimin osman.

 
 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free