Përhapja e fesë Islame
- Artikull : Faktorët ndikues në islamizimin e shqiptarëve
Fisnikëria shqiptare, ishte e para që provoi dukurinë e kalimit në Islam. Pasi e pranonin vasalitetin osman, bijtë e tyre islamizoheshin, pasi që të njëjtit edukoheshin pranë oborrit të sulltanit në Stamboll. Sipas regjistrimit të viteve 1431-1432, Sanxhaku Shqiptar kishte 335 timare, nga të cilat 279 udhëhiqeshin nga myslimanë. Depërtimi në shkallë të gjerë i fesë islame në radhët e popullit shqiptar gjeti shprehje pikësëpari në qytete. Por, që nga vitet 80 të shek. XV, feja e re ka nisur të “zbresë” nga parësia e islamizuar në masën e popullsisë qytetare të krishterë, për të vazhduar më pas edhe në fshatra. Me 1468, tetova kishte 41 shtëpi myslimane (15%). Në vitin 1485, Peja kishte 23 shtëpi myslimane. Me 1487, Vuçiterna kishte 33 shtëpi myslimane (31%), Prishtina 51 shtëpi myslimane (17%).
Procesi i islamizimit gjatë shek. XVI ishte në ngjitje të pandërprerë. Feja e re kishte shënuar sukses të madh në qytete të rëndësishme: Peja (90%), Vuçiterna (80%), Tetova (71%), Kërçova (65,5%), Prishtina (me nga 60%), Prizreni (55,9%), Novobërda (37%), Trepça (me nga 21%), Janieva (14%). Nga shqyrtimi i ritmeve të procesit të islamizimit të popullsisë qytetare shqiptare gjatë shek. XV-XVI, del se dinamika e këtij procesi paraqitej veçanërisht e shpejtë në qytetet e Kosovës. Një gjë e tillë shpjegohet, midis të tjerash, me rrethanat politike të veçanta që ekzistonin në Kosovë në momentet e vendosjes së sundimit osman. Popullsia shqiptare e Kosovës ndodhej kësaj kohe nën sundimin politik të shtetit serb, ndërsa pushtetin fetar këtu e ushtronte kryesisht Patrikana Serbe e Pejës. Për rrjedhojë, likuidimi i sundimit serb dhe dobësimi i pozitave të kishës serbe me vendosjen e sundimit osman, u dha rast banorëve të krahinës që t’i shpëtonin ndikimit të kishës së lartpërmendur, duke përqafuar fenë islame si një nga mjetet e shprehjes së dallimit të tyre etnik nga serbët.
Në trojet shqiptare në fundin e shek. XVI përqindja e islamizimit të qyteteve kapte shifrën 49%, ndërsa ajo e fshatrave arrinte vetëm në rreth 17%. Duke filluar nga shek. XVII, burimet historike flasin për braktisje masive të fesë së krishterë dhe përqafimit të Islamit edhe nga popullsia fshatare.
|