WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  Konferenca e Pezës
 

Konferenca e Pezës

Pjesëmarrës në të, ishin: Abaz Kupi Myslim Peza Haxhi Lleshi Mustafa Xhani Ndoc Çoba Ramazan Jarani Halim Begeja Ismail Petrela Skënder Muço Azis Çami Skënder Jegeni Këta përfaqësonin rryma të ndryshme politike. Nga PKSH morën pjesë: Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini (më vonë Hoxha).

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Të pranishmit hynë në debate në lidhje me simbolet komuniste, si ylli i kuq, i cili nuk pranohej nga jokomunistët.

U miratua një rezolucion, në të cilin thuhej se përfaqësuesit e të gjitha tendencave nacionaliste, PKSH-së, Rinisë Komuniste, Rinisë Nacionaliste dhe Rinisë Femërore Popullore, miratonin deklaratën përkatëse ku përkrahej koalicioni kundër boshtit, akuzohej rëndë Mustafa Kruja dhe përkrahej lufta e atyre çetave që kishin luftuar deri ato momente, duke i dhënë rëndësi, nga ana tjetër, çështjes së këshillave nacionalçlirimtare. Rezolucioni i Konferencës së Pezës

Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar, të Partisë Komuniste, të Rinisë Nacionaliste, të Rinisë Komuniste dhe Rinisë Femnore Popullore të Shqipnisë, të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e Italisë fashiste dhe nga tradhtarët e shitur tek i huaji, mbasi përkujtuan dëshmorët e rënë në luftë kundër fashizmit, mbasi shqyrtuam mirë gjendjen shqiptare dhe veçanërisht, mbasi theksuan dëshirën dhe nevojën për organizimin e të gjithë energjive shqiptare për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:

Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.

Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njerën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për indipendencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.

Traktati i 27 shteteve, i nënshkruar në Uashington prej Amerikës, Anglisë, Bashkimit Sovjetik dhe të Moskës dhe përpjekjet vetë të popujve të shtypur, na japin garanci për pavarësinë dhe lirinë tonë...

Fronti i dytë është një çështje javësh, luftërat nacional - çlirimtare sa vijnë po bëhen më të tmerrshme...

Shqipëria jonë qe nga të parat në Europë që pati fatin e zi të robërohej prej fashizmit italian me pushkë kresë. Një të premte të zezë, më 7 prill, djemtë e Shqipërisë me Bazin e Canes në krye, i treguan fashizmit italian se populli shqiptar di të vdesë për tokën e vet. Në Shëngjin, në Durrës, në Vlorë, në Sarandë, gjaku i djemve tanë skuqi buzëdetin e Adriatikut. Kudo në Shqipëri u ngrit populli për të rrokur armët, kudo rinia shqiptare kërkoi armë, protestoi me demonstrata, greva e të tjera kundër zaptuesit dhe tradhtarëve. Qindra patriotë morën rrugën e hidhur të mërgimit.

("Politikë antikombëtare e Enver Hoxhës...", faqe 174 - 179).

Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar

Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional, të përbërë nga: Kamber Qafmolla (kryetar) Mustafa Gjinishi (sekretar) Ndoc Çoba Myslim Peza Abaz Kupi Enver Hoxha Ymer Dishnica (anëtar) Me përjashtim të Enver Hoxhës dhe Myslim Pezës, të gjithë të tjerët u cilësuan si tradhtarë nga historiografia komuniste, e cila përqiqej t'i jepte rolin e udhëheqësit, Enver Hoxhës.

Është për t'u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.

Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit ("Fletorja Zyrtare", 9 dhjetor 1942).


Parulla e bashkimit apo e përçarjes?

Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje.

 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=