WWW.ARBNOR-GASHI.PAGE.TL
  DASHURIA - KJO NDJENJË HYJNORE
 
DASHURIA - KJO NDJENJË HYJNORE ( I )  
Çelësi universal për të gjitha dyert e jetës njerëzore është një dhe i vetmi dhe quhet: dashuri.

D. Demaku

Emocioni më dinamik që njeriu mund të përjetoj, elementi më thelbësore i qenies njeri, ndjenjë e fuqishme dhe e thellë, e zjarrtë dhe e pastër, energji e fuqishme dhe e pafund që depërton deri në poret më të imta të qenies sonë, duke na rrëmbyer trupin e shpirtin... është ndjenja e quajtur DASHURI.

Dashuria... është ëndërr, ëndërroje
Dashuria... është e bukur, adhuroje
Dashuria... është dhimbje, shëroje
Dashuria... është tradhti, mësohu me ta
Dashuria... është detyre, plotësoje
Dashuria... është pasuri, ruaje
Dashuria... është loje, luaje
Dashuria... është mister, zbuloje
Dashuria... është fat, përfitoje
Dashuria... është aventure, kujdes
Dashuria... është luftë, mësohu edhe me te
Por dashuria... është dashuri, lufto për te!

Sa bukur, sa fuqishëm dhe sa të plotë e përshkruaj këto vargje të gjeniut tonë popullor, që qarkullojnë në sa e sa faqe interneti, këtë prirje të brendshme që na tërheq aq shumë, që na pëlqen aq shumë, që lindë dhe buron nga thellësitë më të çiltra të zemrën sonë për vetë jetën, për më të dashurën - dashurin, për fëmijët, për prindërit, për shokun, për mikun për atdheun, për artin, për shkencën, për... e që të gjitha së bashku, si një rrezatim i fuqishëm, si një energji e pashtershme, na shpiejnë drejt rrugës madhështore, drejt çelësit universale, drejt dritës hyjnore.
Është, pothuajse e pamundur që njeriu të jetojë pa praninë e dashurisë. Ajo është pjesë e pandarë e procesit jetësor dhe tepër e domosdoshme për balancën shpirt - trup. Nuk është e rëndësishme se çfarë dashurie ushqejmë e kultivojmë, çoftë ajo në raport me polin e kundër, qoftë ne raport me fëmijët ose prindërit, qoftë në raport me gjëra tjera, e rëndësishme është prania e elementit të saj me të gjithë fuqinë dominuese që nuk është kurrë e tepërt për shpirtin njerëzore. Shumë bukur e ilustron këtë D. Demaku përmes një aforizmi ku thotë: Në botë mund të ketë tepër urrejtje, tepër vuajtje, tepër mjerim, por kurrë nuk do të ketë tepër dashuri. Dhe vërtet, kjo botë e stërmbushur me urrejtje, vuajte e mjerim, ka nevojë për shumë më shumë dashuri.
Rruga e dashurisë është edhe rruga që hap dritaret e mendjes, rruga që çon drejtë ngritjes shpirtërore të njeriut, drejt përsosjes së tij, por, njëkohësisht edhe përsosjes së njerëzimit në përgjithësi. Ajo është energji, ndoshta ndër më të fuqishmet e mendjes njerëzor, që është në gjendje të transformoj të ligën në të mirë, e të mirën ta fuqizoj e lartësoj deri tek hyjnorja, sepse vet fryma e dashurisë është ndijim i veçantë hyjnor. Vetëm fjala “të dua” (thonë tre autorët, që u shpallën më të mençurit e shekullit njëzet) krijon me mijëra ndryshime pozitive në metabolizmin e trupit të njeriut. Pa dashuri jeta nuk do të kishte kuptimin e duhur. Ajo do të kthehej në vuajte dhe mjerim. Botën do të dukej e errët. Vetë ligji dialektik i natyrës është i tillë: dashuria gjeneron dashuri, urrejtja vetëm dhunë, konflikte dhe mjerim. Pra, dashuria është arma më e fuqishme ndaj së keqes.
Dashuri është shpresë, dashuri është motiv, dashuria është respekt, dashuria është solidaritet, dashuria është sakrificë... e mbi të gjitha, ajo është perlë e lumturisë. Ajo zë rrënjë thellë në secilën qenie njerëzore duke ndezur në botën e tij të brendshme zjarrin e pashuar të impulsit jetësor.

Dashuria dhe filozofia

Dashuria është si ajri i pastër, sa herë merr frymë njeriu, e freskon trupin e vet.
Dashuria, edhe ne kohët më të lashta, ishte një ndër preokupimet më me prioritet i njerëzve të urtë e të mençur të atyre kohëve. Shumë filozofë, por edhe ithtar të mendimit filozofik, kanë shkruar, diskutuar, sugjeruar, debatuar etj, rreth kësaj ndjenje të madhërishme dhe të përjetshme.
Nocioni dashuri ka burimin nga mitologjitë e lashta. Tek grekët e vjetër, me këtë emër identifikohet, perëndia e dashurisë, Erosi, ndërsa tek romakët, Amori. Erosin e njohim nga miti, që e shënoi historiani romak Apulei, në të cilinë bëhet fjalë për dashurinë e Erosit me një vajzë të bukur, e quajtur Psika (më vonë kjo fjalë -psycho do të përdoret si sinonim për shpirtin), por që nga nëna e Erosit, zonja e dashurisë Afërdita (Venera), kundërshtohej me çdo kusht. Mirëpo, edhe pas spekulimeve e peripecive të shumta, dashuria triumfon mbi të gjitha dhe ky mitë përcillet ndër shekuj si inspirim për artistët e shumtë, por edhe si tregues shumë domethënës në kuptimin e dashurisë për shpirtin njerëzor. Erosi, më vonë, nga psikoanalisti i njohur Sigmund Frojdi (Sigmund Freudi), do të hyjë në psikologji si një ndër nocionet më karakteristik për jetën, shpirtin dhe dashurinë.
Amori, tek mitologjia romake njihet, gjithashtu si perëndia e dashurisë, ose më saktësisht nxitësi i dashurisë, një çunak gjysmë i rritur, jo edhe pa djallëzi, i cili me shigjetën e vetë godet zemrat në të cilat edhe zgjon dashurinë. Harkut dhe shigjetës së tij nuk mund t’i rezistoj askush: Amor vinci omnia, që do të thotë, “Amori triumfon gjithnjë”, ku fjala latine “Amor”, lidhet drejtpërdrejt me dashurinë.
Grekët e konsideronin ndjenjën e dashurisë si një armë të vërtetë, një hanxhar që mund të të ngulet në trup, njëjtë sikurse shigjeta e Amorit, dhe dalëngadalë të marr pushtetin edhe të vetë shpirtit. Dashuria, gjithnjë sipas grekëve të vjetër, jo vetëm që arrin t’i mposht e sundojë shpirtrat e njerëzve, por shpeshherë ajo arrin të luhat edhe qëndrimet e vetë zotave, siç është rasti i mësipërm me Psiken dhe Erosin.
Njëri ndër filozofët dhe mendimtarët e parë perëndimor dhe më me ndikim në antik, Platoni, i cili filozofisë greke i dha një drejtim të ri, dha një kontribut mjaft specifik edhe rreth dashurisë. Mendimi i tij ka mbetur në shekuj si bazament për shumë filozof të tjerë që e kanë vrojtuar dashurinë nga këndvështrimi filozofik.
Për Platonin dashuria është një forcë e madhe dhe e fuqishme që karakterizohet për kapacitetin e saj si ndërmjetësuese, afruese dhe bashkuese të dy qenieve, që tejkalon çdo gjë materiale duke u lartësuar kah idealja, ku sipas tij, gjendet e bukura, e vërtet dhe e mira. Pra, për “dashurin paltonike”, nuk është i domosdoshëm kontakti, lidhja, por ndjenjat, sipas të cilave edhe gjithçka rrjedh. Kjo formë, për Platoni, paraqet shkallën më të lartë të dashurisë, kurse dëshirat, epshet dhe seksin, si antagonizëm të kësaj, të parës, pra ideales, ai i sheh si shkallë të parë të dashurisë. Duke u nisur nga kjo, njeriu mund të arrijë pastaj shkallën tjetër të dashurisë: dashurinë për gjëra të bukura, dashurinë ndaj shkencës, ndaj mendimeve inspirative etj. Dashuria platonike paraqet formën më të lartë dhe më të plotë të dashurisë ndaj të cilës njeriu jepet me ambicie dhe dëshirë sipas idealeve si: e bukura, e vërteta dhe, përfundimisht hyjnorja. Këtë gjendje ose shkallë, e arrijnë shumë pakë individ, dhe këta njerëz që e praktikojnë këtë dashuri, Platoni i quan Filozof, pasi dashuria, për të, i përngjanë filozofisë, sepse dhe filozofia mëton të vërtetën, të bukurën dhe të mirën.
Plotino, një filozof dhe mendimtar gjenial i Greqisë së vjetër, si dhe themelues i Neoplatonizmit, gjithashtu shprehet rreth ndjenjave të dashurisë. Ai mendon se shpirti i njeriut gjendet në një udhëkryq në të cilin ai mundohet dhe vuan për shkak se e ka barrë trupin e tij, pra njeriun. Mirëpo, dashuria që gjendet në brendi të këtij shpirti, vepron si shtytës, duke e rritur fuqinë vepruese dhe me këtë të shpërthej përpara duke i njohur gjërat më mirë dhe, po ashtu, duke i zgjedhur format dhe problemet e jetës në mënyrë më të përshtatshme.
Filozofi holandez, Baruch Spiniza, dashurinë e ndërlidh me Perëndinë. Sipas tij, dashuria ndërlidhet me idenë, pasi që edhe vet Perëndinë në ne manifestohet si ide. Pra ne, nuk kemi figurë reale për të, për Zotin, megjithatë, shprehim dashuri madhështorë ndaj tij. Ne kemi idenë se një Zotë ekziston, të cilin e respektojmë, e nderojmë me plot dashuri, edhe pse në fakt ne nuk e njohim.

Nga buron kjo ndjenjë e fuqishme dashurie?

Kjo formë e dashurisë na lë të kuptojmë se dashuria është më shumë se perceptim që mund të kapet drejtpërdrejt përmes shqisave tona, pra ajo është diç shumë e madhështore dhe më e ndjeshme në thellësitë tona shpirtërore.
Kur përmendet dashura, menjëherë na bien ndër mend edhe Shekspiri, më saktësisht vepra më e njohur në literaturën botërore për dashurinë, tragjedia e famshme Shekspiriane “Rome dhe Zhulieta”. Përmes kësaj vepre, që u vu në skenë pothuajse në çdo teatër, qoftë profesionist apo amator, për të cilën u realizuan aq shumë opera, teledrama, regji filmike etj., Shekspiri arriti të depërtoj thellë në secilën qenie njerëzore, në brendi të zemrës së tij, duke shkaktuar emocione nga më të ndryshmet dhe atë vetëm falë energjisë së fuqishme dhe të pafund të ndjenjës së dashurisë. Ai e lartësoi dashurinë, e sidomos atë romantike, në pikën më të lartë të piedestalit, për të cilën, personazhet në veprat e tij, sakrifikojnë edhe atë më sublimen, pra vetë jetën e tyre, siç ndodh në veprën “Rome dhe Zhulieta”.
Për dashurinë u shprehen dhe shkruan edhe Sokrati, edhe Seneka, edhe Dante, dhe Hygo, edhe Kamy edhe...është e pamundur të cekën të gjithë, pasi nuk besohet se ka filozof, mendimtar, shkrimtar, artist... që nuk është shprehur për këtë ndjenjë hyjnore, për ndjenjën e mrekullueshme të dashurisë.

Osho për dashurinë

Dashuria dhe era nuk maten në peshore.

Një asket shëtitës u strehua në një fshat. Vjen një njeri dhe i thotë se dëshiron ta realizoj Hyjnoren. Asketi e pyet: “A ke dashuruar ndonjëherë?” Njeriu i përgjigjet: “Jo, unë asnjëherë s’kam gabuar në gjëra të tilla të shenjta. Asnjëherë nuk kam rënë aq poshtë, sepse unë dua të arrij tek Zoti”.
“Me gjithë mend e ke, asnjëherë nuk ke ndier dhembje të dashurisë?” - e pyet murgu i habitur. “Ua them të vërtetën” - vazhdon besimtari me bindje, “por, më falni, pse vazhdimisht më bëni të njëjtën pyetje? As që i jam afruar ndonjëherë dashurisë. Dua ta arrij Vetërealizimin, Hyjnoren”. Atëherë asketi i përgjigjet: “Ti duhet të më falësh, të lutëm, shko tek dikush tjetër. Përvoja ime më ka mësuar se nëse ke dashur të paktën dikë, këdoqoftë, nëse e ke pasur madje vetëm një shkëlqim dashurie, unë mund të të ndihmoj që ta zgjerosh atë, që të rritet e rritet e ndoshta të arrijë edhe te Zoti. Por, nëse ti nuk ke dashuruar asnjëherë, ti asgjë nuk ke në vete; në ty nuk ndodhet fara që të mugullojë në dru. Miku im, pa prezencën e dashurisë, unë nuk shoh kurrfarë mundësie të hapjes ndaj Zotit. Shko e kërko dikë tjetër!”
Ky është një tregim i nxjerr nga libri i Oshos “Prej seksit në mbidije”, përmes të cilit ai shpreh madhështinë e dashurisë. Shpreh shkëlqimin e pafund të kësaj ndjenje të plotë, të pastër e të thellë, të cilën Osho e konsideron edhe si rrugën kryesore që të shpien drejt hyjnores.
Emri zyrtar i Oshos, i këtij filozofi indian, ishte Chandra Mohan Jain, ndërsa Rajneesh, ishte nofka e tij që nga fëmijëria. Bhagwan Shree Rajneesh e emërtoi veten kah fundi i vitit 1988. Bhagwan, që rrjedh nga sanskrishtja, ka kuptimin e njeriut që e ka uratën e Perëndisë, siç është Buda, Mahavira etj., pra njerëz që kanë arritur përndritje të vërtet. Ndërsa me emërtimin Osho, ai identifikohet kah fillimi i vitit 1989 e deri në fundin e jetës së tij. Me këtë emër ose titull e “pagëzuan” nxënësit e tij. Kuptimi i fjalës Osho, buron nga Zen Budizmi që ka kuptimin e murgut ose mësuesit. “O” do të thotë DASHURI, mirënjohje, respekt i thellë, harmoni etj., ndërsa “SHO” vetëdije e shtrirë në të gjitha drejtimet. Pra, vetë titullo OSHO, simbolizon dashurinë e përgjithshme multidimensionale.
Osho mendon se dashuria fillon duke e dashur së pari vetveten, por pa ra nën ndikim egoist, pa kaluar në stade obsesioni ose narcizmi. “Dashuria për veten është një fenomen thelbësor” - thotë Osho. Sipas tij, vetëm atëherë kur arrihet të kuptohet ky fenomen, njeriu arrin ta kuptoj thelbësoren dhe vetvetiu shfaq dashuri ndaj tjetrit dhe fillon ta dojë edhe atë. “Pranoje veten dhe dashuroje atë: je një krijesë e Zotit. Mban firmën e tij, je unik, special. Askush tjetër nuk ka qenë si ti dhe nuk ka për të qenë ndonjëherë: je thjesht i pakrahasueshëm. Prano, dashuro dhe stimulo ato çka ke. Dashuria bëhet e mundur vetëm kur ti fillon dhe e pranon thellësisht veten tënde, e më pas tjetrin. Dashuria nuk është "një lidhje", dashuria është "të lidhesh"”.
Osho preferon me çdo kusht largimin e barrierave brenda vetes, të çfarëdo lloji qofshin ato. Shembjen e mureve psikike dhe në vend të tyre krijimin e shtigjeve të hapura: “...lejoni të tjerët të hyjnë në ju, ftojini. Bëhuni si vendkalim, pa rezervë, pa dyer të mbyllura... Dhe vetëm atëherë është e mundshme dashuria”.
Për Oshon, secili njeri është një mister i pafund, i paparashikueshëm dhe i paeksplorueshëm. Sa më tepër që e njeh tjetrin aq më tepër ai bëhet enigmatik. Dhe mu atëherë dashuria transformohet dhe hap shtigje të reja. Sa e sa herë, i dashuri ose e dashura, qëndrojnë kohë të pacaktuar duke e shikuar njëri - tjetrin në sy, duke e soditur atë, pa e folur asnjë fjalë, dhe, gjithnjë zbulojnë diçka të re në atë shkëlqim. “Gjuha është për ata që nuk janë në dashuri” - thotë Osho. “Për dashnorët heshtja është gjuhë e mjaftueshme; pa asnjë fjalë ata flasin, ata merren vesh”. Me këtë, të dashurit bëhen pasqyrë e njëri tjetrit dhe dashuria e tyre sërish transformohet dhe merr formën e meditimit e me këtë edhe jeta e gjithmbarshme bëhet hyjnore, pasi vet ata janë burime hyjnore.
Osho, gjithashtu sugjeron që mos të lejohet që dashuria të konsiderohet diçka e thjeshtë, që ajo mos të bëhet vetëm preokupim i mendjes ose, edhe më keq, vetëm kënaqësi trupore, plotësim i epsheve shtazore, pra vetëm seks. Seksi, mendon ai, vërtet buron nga meditimi, por meditimi nuk e asgjëson energjinë, pasi energjia kurrë nuk asgjësohet, vetëm ndërron formon. Dhe kur kjo energji transformohet, pra nuk është më vetëm seksuale, lajmërohet energjia e pastër e dashurisë. “Personi seksual nuk mund të dojë” - thotë Osho. “Dashuria e atij personi ka për të qenë vetëm shou (show), shfaqje e rëndomtë, vetëm transparencë. Dashuria e tij ka për të qenë vetëm shkurtore gjer te seksi. Personi seksual nuk mund të dojë vërtet, ai vetëm mund ta eksploatojë atë tjetrin, kurse dashuria është vetëm mënyrë që tjetrit t’i ofroheni, që tjetrin ta përvetësoni”.
Natyrisht, që ky transformim nuk është i lehtë, pasi shkon në kundërshtim me egon e njeriut, pra qëllimi i tij është edhe shkatërrimi i egos, megjithatë, nëse i qasemi botës së brendshme përmes dashurisë së sinqertë, dashurisë hyjnore, gjithsesi që edhe barriera e egos do të mënjanohet dhe zhduket përgjithmonë. “Përmes dashurisë, hedhja e egos është e thjeshtë. Kjo është aq e natyrshme pasi vet dashuria është frymëzueshmëri natyrore. Çdo gjë tjetër është jonatyrore kur të krahasohet me rrugën e dashurisë.” - thotë Osho.
Sipas Oshos, dashuri është momenti i bashkimit përfundimtar të dy qendrave, dhe për këtë ai merr këtë shembull: “Dashuria është fenomen i vërtetë alkimik – mu sikur bashkohen hidrogjeni dhe oksigjeni, dhe krijohet diçka krejt e re prej atij takimi - uji. Mund të keni hidrogjen sa të doni, edhe oksigjen në sasi të mëdha, por kur të jeni të etshëm, kjo nuk ka për t’ju ndihmuar shumë. Kur dashuria ekziston dhe kur dy qendra takohen e shkrihen njëra në tjetrën – krijohet kualiteti i ri alkimik, dhe mbushullimi është aty. Sikur përnjëherësh e tërë jeta të jetë ndalur – nuk ka lëvizje. Tani ky moment i tanishëm - është i vetmi moment, dhe tani lirisht mund të themi: “Ah, kjo ëmbëlsirë qenka kaq e shijshme!” Madje as vdekja nuk ka kurrfarë rëndësie për njeriun që është duke dashuruar”.
Qendra, shpjegon Osho, mbetet gjithnjë e re. Ajo gjithnjë anon ka përsosshmëria dhe është gjithnjë e freskët, përderisa periferia shkon duke e vjetërsuar. Periferia bëhet gjithnjë e vjetër pasi ajo i takon kohës. Çfarëdo që hynë në kohë, fillon të plakët. Edhe njeriu - thotë Osho: “Njeriu ka lindur – kurse trupi veçse i plaket! Kur themi se fëmija është i vjetër një javë ditë, kjo do të thotë se shtatë ditë pleqëri kanë depërtuar në fëmijën. Fëmija i është ofruar vdekjes shtatë ditë më afër. Ai ka kaluar shtatë ditë vdekjeje, ai lëviz kah vdekja - dhe herët a vonë ka për të qenë i vdekur”. Përderisa dashuria jo! Ajo mbetet përherë e re pasi i takon qendrës e qendra, sipas Oshos, nuk i përket kohës. Njëjtë, sikurse shpirti - thotë Osho, që mbetet përfundimisht i freskët, i përjetshëm, pavarësisht moshës së njeriut, sepse edhe ai i takon qendrës. Vetëm atëherë kur njeriu arrin të krijoj kontaktin me qendrën, ai e zbulon dashurinë, e përjeton atë ndjenjë hyjnore, e cila rrezaton fuqishëm në çdo moment dhe pafundësisht. Atëherë hapen qendrat dhe rrënohen kufijtë. Asgjë - thotë Osho, përveç dashurisë nuk e gjen aq lehtë rrugën deri tek hyjnorja.

Sabir Krasniqi
(www.sa-kra.ch)

Në vazhdimin tjetër, ndër të tjera do të lexoni:
Ç’thonë psikologët për dashurinë;
Frojdi rreth dashurisë;
Dashuria në sytë e shkencës;
Oksitocina - hormoni i dashurisë, etj.


DASHURIA - KJO NDJENJË HYJNORE (II)  
Ç’thotë psikologjia për dashurinë?

Dashuria dhe urrejtja nuk mund të jetojnë në të njëjtën zemër..., zemra është e vogël, nuk i nxë të dyja.

Sipas psikologjisë, njohja, shoqërimi, pëlqimi dhe dëshirimi intim i dikujt ose ndaj dikujt, mund të zhvillohet gradualisht dhe të kaloj në lidhje më intensive dhe më apasionante. Dhe ky afrim përkufizohet si “Emocion i dashurisë.”
Megjithëse psikologjia nuk e zbërthen “teorinë e dashurisë”, megjithatë, studimet e shumta që janë bërë rreth dashurisë, e ndihmojnë individin që t’i kuptojë ndjenjat dhe sjelljet, kur mendon se është pushtuar nga emocionet e dashurisë.
Erich Frommi, në “Teorinë sociale të dashurisë”, besonte se njerëzit janë produkte të mjediseve të tyre sociale. Njeriu ndihet i vetmuar deri në momentin kur ai arrin të lidhet me dikë ose të krijoj shoqëri me njerëz të tjerë. Por, mbi të gjitha lidhjet dhe shoqëritë që njeriu arrin t’i realizoj, lidhja më e fuqishme dhe më domethënëse është ajo e bashkimit reciprok, që ne e quajmë dashuri.
Për Frommin, dashuria paraqet shqetësim aktiv për sjelljet e personit tjetër, të cilat ai i përkufizon si katër karakteristika të dashurisë: njohuritë, kujdesinë, përgjegjësinë dhe respektin. Pra, dashuria lind atëherë kur ne arrijmë ta kuptojmë tjetrin, ta respektojmë atë, t’i pranojmë përgjegjësit, pavarësisht se çfarë janë ato, t’i vlerësojmë cilësitë e tij etj. Sipas tij, njeriu përjeton dashuri të sinqertë, vetëm atëherë kur arrin ta mposht egon e tij.
A. Pam, R. Plutchik dhe H. Conte, krijues të “teorisë psikometrike”, përpunuan “shkallët e dashurisë”, për të matur qëndrimin që mbajnë njerëzit ndaj dashurisë. Nga ky testim, ata arritën të përkufizojnë pesë faktorë që i konsideronin shumë të rëndësishëm në pëlqimin reciprok: respekti, përshtatshmëria, altruizmi, pëlqimi fizik dhe të qenët bashkë.
Përveç këtyre faktorëve, që ata i konsiderojnë si shumë të rëndësishëm, zbuluan edhe disa prirje të tjera të caktuara p.sh.: pëlqimi fizik dhe të qenët bashkë janë shumë të rëndësishme në dashuri, derisa përshtatshmëria e partnerëve dhe pëlqimi fizik i tyre janë të rëndësishme për marrëdhëniet seksuale. Po ashtu miqësia kërkon përshtatshmëri dhe respekt ndaj njëri - tjetrit.
Një trajtim tjetër studimor ndaj dashurisë është ai i J. Knoxit. Knoxi bënë dallime midis dashurisë romantike dhe asaj realiste. Sipas tij, dashuria romantike është e fshehtë, e përjetshme dhe ndodh vetëm një herë në jetë e njeriut, ndërsa dashuria realiste është praktike, e qetë dhe e qëndrueshme. Njeriu me qëndrim praktik ndaj dashurisë i logjikon mirë rastet që ka, para se të vendos. Këto dy dashuri, ajo romantike dhe realiste, mund të konsiderohen si skajet e kundërta të një kontinuumi, përderisa dashuria e përgjithshme njerëzore, bie diku midis këtyre dy ekstremiteteve.
Knoxi, gjithashtu hodhi idenë se qëndrimet e njeriut ndaj dashurisë ndryshojnë, ndërkohë që ne kalojmë nga një stad i jetës në tjetrin.
Dy psikologë të tjetër, Walster E. dhe Walster G., bëjnë dallime midis dashurisë pasionante dhe asaj bashkëshortore. Sipas tyre, dashuria pasionante ose siç e quan ndryshe Knox, dashuria romantike, është një përjetim i thellë emocional që përfshin: dëshirën seksuale, lumturinë, shqetësimin, harenë dhe delikatesën. Dashuria pasionante rrallë zgjatë më shumë se 6-30 muaj, por ajo mund të çoj drejt një dashurie të qëndrueshme dhe të përmbajtur, mendojnë ata.
Kurse dashuria bashkëshortore, siç quhet ndryshe, dashuria e përmbajtur, karakterizohet nga: lidhja e thellë, besnikëria, respekti, përzemërsia, barazia dhe aftësia. Kjo dashuri edhe pse nuk është aq e thellë sa ajo pasionante, megjithatë zgjatë më shumë se e ajo.
Një psikolog tjetër nga Universiteti i Yales, Robert Sternberg, kohët e fundit parashtroi një teori të re të përbërë prej tri komponentëve: intimitetit, pasionit dhe vendimit/angazhimit. Intimitetin, si komponent emocional, Sternberg e ndërlidh me raportet e dashurisë të cilat janë edhe si parakusht për nxitjen dhe krijimin e ndjenjës së afërsisë, e të cilat sipas tij janë: respekti, lumturia, mirëkuptimi, mbështetja, komunikimi etj. Ky komponent është edhe bërthama e një dashurie sociale që shfaqet tek raportet ose marrëdhëniet dashurore me prindërit, vëllezërit e motrat, shokët, bashkëshorten etj.
Pasionin, si komponent motivacional, Sternberg e ndërlidh me eksitimin fiziologjik i cili synon kah dëshira për seks. Si nxitës të këtij pasioni, përveç nevojave të tjera, sipas tij, mund të jenë edhe: dinjiteti, atashimi dhe dominimi. Mirëpo, pasioni edhe pse në shumicën e rasteve, në fillimet e marrëdhënieve dashurore me gjininë e kundërt, i afron dashnorët më pranë njëri - tjetrit, dhe mbi këtë bazë më vonë mund të zhvillohet edhe intimiteti, pra komponentit emocional, në raste tjera, ajo që dëshirohet mbetet vetëm si pasion, p. sh. marrëdhëniet me prostitutat.
Ndërsa vendimin/angazhimin, si komponent kognitiv, Sternberg e ndërlidh me: vendimin -si veprim afatshkurtër për të dashuruar një person dhe angazhimin -si veprim afatgjatë, për t’i vazhduar këto marrëdhënie, qoftë në situata të mira, qoftë në situata të këqija. Ky është edhe komponenti vendimtar që ndihmon që marrëdhëniet e dashurisë mes partnerëve të marrin karakter serioze dhe të qëndrueshme.

Frojdi rreth dashurisë

Sado që ta duash njeriun, prapë do të ketë vend ta duash edhe më shumë.

Frojdi me të plot të drejtë ka marr epitetin “Babai i psikologjisë”, pasi gjatë gjithë jetës së tij, i është përkushtuar kësaj disipline shkencore, duku ju dhënë shumë dukurive të saj sqarime më logjike e kuptimplote. Gjithashtu, Frojdi ishte ndër të parët që u shpreh hapur për ekzistencën e dy fushave psikike në qenien njerëzore, atë të vetëdijshme, që sipas tij është vetëm “maja e akullit” mbi sipërfaqe, dhe atë të pavetëdijshme, pra pjesa tjetër gjigante, që ndodhet nën sipërfaqe, e që janë edhe burimi themelor i të gjitha proceseve psikike. Ai na është, pothuajse të gjithëve, i njohur me teorinë e tij të famshme “psiko-analitike”. Edhe pse, jo vetëm me këtë teori, por edhe me disa mendime të tjera frojdiane, nuk pajtohen shumë psikologë dhe hulumtues shkencor, bile edhe një pjesë e nxënësve të vet Frojdit, ato prapë se prapë zënë vend të rëndësishëm në trajtimin e çështjes së personalitetit dhe jetës psikike në përgjithësi.
Frojdi, si një ateist i përbetuar, që mbeti deri në ditët e fundit të jetës së tij, si dhe pasuesi i denjë i materializmit, natyrisht, që nuk mund ta pranonte ekzistencën e shpirtit, prandaj edhe ndjenjën e dashurisë e identifikonte me epshet ose instinktet, me të cilën bëhej edhe objekt sulmesh, ndoshta edhe me të drejt, nga kundërshtarët e tij. Ai thotë se fuqitë shtytëse të veprimeve të njerëzve gjenden në fushën e pavetëdijshme, dhe mu këto fuqi, sipas tij, janë epshet ose instinktet. Frojdi i ndanë instinktet në dy grupe: Instinktet e jetës, që i identifikon me perëndinë e dashurisë, bazuar në mitologjinë greke, Erosin, si dhe ato të vdekjes, që i identifikon me perëndinë e vdekjes, gjithashtu bazuar në mitologjinë greke, Thanatosin. Erosi, pra instinktet e jetës, të cilave edhe ua kushtoi kohën më të gjatë të studimeve, shërbejnë për ekzistimin e individit dhe për ekzistimin e llojit dhe këto, ndër të tjerat, janë: epshi i urisë, epshi i etjes e sidomos epshi seksual. Dhe, atë energji që shtynë kah plotësimi i këtyre instinkteve, e sidomos i atij seksual, Frojdi e quan “libido”. Ndërsa nga Thanatasi, ose instinktet e vdekjes, buron ajo shtytje, epsh shkatërrimtar që i nxit njerëzit kah agresioni, dhuna, shkatërrimi, luftërat etj.
Pasionin seksual, Frojdi nuk e konsideron si nxitje, mundësi, afërsi, tërheqje etj., për lindjen e dashurisë së pastër, dashurisë së vërtet e të sinqertë që do të rezultojë me një lidhje të ngushtë, me një bashkim qiftesh, akt martesorë, lindje fëmijësh, pra krijimin e një familjeje të shëndosh, por, thjesht si plotësim i domosdoshëm i këtij instinkti të lindur, që rrënjët i ka qysh nga fëmijëria e hershme. Goja, thotë Frojdi, që në vitin e parë të lindjes është regjioni kryesor dhe pjesa kryesore e trupit, e cila i ofron kënaqësi fëmijës, kënaqësi kjo e cila në esencë është kënaqësi seksuale. Pastaj vjen stadi anal; stadi gjenital, respektivisht zona erogene, që është edhe burimi kryesor i kënaqësive seksuale. Në fazat e mëvonshme të zhvillimit, tek fëmija fillon të paraqitet i ashtuquajturi “kompleksi i Ediptit”, që Frojdi, por edhe disa ithtar të kësaj teorie, e theksojnë në veçanti. E ka marrë emërtimin sipas një legjende greke mbi mbretin e Tebes, Ediptin, i cili e mbytë babanë dhe martohet me nënën e vet. Frojdi thotë se tek fëmija ekziston aspirata e miqësisë kah prindi i gjinisë së kundërt, pra aspiratë që nuk ndërlidhet me ndjenjat e dashurisë shpirtërore e njerëzore, fëmijë-prind, por si nevojë e plotësimit të epshit seksual. Ndërsa për prindin e gjinisë së kundër, tek ai lindin aspirata armiqësore, pasi fëmija atë e konsideron si rival.
Reduktimi i pothuaj të gjitha motiveve vetëm në dy lloje instinktesh, të cilat ai i konsideron si energji vendimtare në jetën psike të individit, në një farë mënyre e barazon qenien njeri me kafshët e rëndomta tek të cilat përjashtohet logjika. Po të ishte fjala për lloje kafshësh, ndoshta teoria e Frojdit për seksin edhe do të ishte e arsyeshme, pasi ato udhëhiqen (ndoshta) nga fuqia shtytëse e instinkteve, ndërsa tek njeriu ky proces ndryshon dukshëm, pasi ai posedon ndjenjat, dhe në këtë rast, mes dashurisë si ndjenjë më e lartë tek njerëzit, që ndikohet edhe nga faktorët social, dhe instinktit seksual, si faktor biologjik, nuk mund të vihen shenja barazimi.
Njeriu nuk është vetëm qenie racionale. Tek ai ndikim të jashtëzakonshëm kanë edhe ndjenjat. Edhe dashuria përbën njërën nga ndjenjat më madhështore të tij, që provokon emocione nga më të ndjeshmet, por edhe ngjallë motivin për veprim e për jetë. Në sa e sa tregime, romane, piktura, kompozime etj. idealizohet aq shumë dashuria sa që aktorët e tyre nën ndikimin e pushtetit të saj, luftojnë deri në vetëmohim.
Por kjo që u tha më lartë, nuk ia humb aspak meritat Frojdit dhënë lëmit të psikologjisë. Ai ka kontribuar vërtet shumë në zhvillimin e saj, sidomos rreth personalitet njerëzorë. Mësimet e tij përmbajnë njohuri mjaft ë rëndësishme dhe shënojnë një përparim të dukshëm në shpjegimin e aktiviteteve të njeriut gjatë procesit të tij jetësor.

Dashuria në sytë e shkencës

Dashuria nuk banon në mendjen e ndotur nga shëmtitë e urrejtjes.

Vetëm para disa dekadave ka qenë e pa imagjinuar që shkenca empirike të merret ose të përvetësoj diç që i takonte sferës mentale, shpirtërore ose artistike, e lëre më që për këto dukuri të jap gjykimin përfundimtar. Dashuria dhe seksualiteti ishin dukuri, të cilat me shekuj konsideroheshin si tema tabu, dhe për to bisedohej, diskutohej, debatohej vetëm me gjuhë të matur, me fjalë të zgjedhura ose thënë më konkretisht - në mënyrë të sofistikuar, duke pasur parasysh mentalitetin patriarkal por dhe ligjet e rrepta që mbisundonin atëkohë. Natyrisht, me përjashtime të vogla, ku shkrimtarë dhe artistë të ndryshëm, nëpër veprat e tyre mundoheshin ta paraqisnin dhe shpalosnin madhështinë e kësaj ndjenje hyjnore si: Giovanni Boccaccia në veprën (novelat) “Decameron”, Casanova në memoaret e tij “Historia e jetës sime”ose piktorët Aacheni, Cagnacci, Rosseti e të tjerë që përmes, lapsit, brushës, ngjyrave etj. shprehnin edhe estetikisht këtë fuqi shpërthyese të quajtur dashuri.
Ti jepet sqarim shkencorë dashurisë së Tristanës dhe Isoldës ose Romeos dhe Zhulietës, nevojitet vërtet njohuri e madhe teorike dhe praktike por edhe guxim intelektual. Megjithatë, këtë hapë të guximshëm e morri kirurgu francez Michel Odent, i cili gjatë punës së tij arriti reputacionin e “akusherit revolucionar”, pasi arrita ta ndryshojë tërësisht praktikën e deriatëhershme akusherike, duke u angazhuar për lindje spontane, pa ndërhyrje të tepruar të personelit, por në pranin e të atit gjatë aktit të lindjes. Në librin e tij “Scientification of Love”, Odent paraqet hipoteza të guximshme për natyrën e dashurisë dhe seksualitetit. Ai parashtron disa interpretime të befasishme për vetë aftësinë për të dashuruar, aftësi e cila, sipas konkluzioneve të tij, fillon qysh në gjirinë e nënës, menjëherë pas lindjes, dhe kjo, mendon Odent, mund të na sqaroj edhe shkakun e motivit për sjelljet e dhunshme dhe agresive në shoqëri. Boshti i të gjitha kërkimeve të tij, paraqet punën në studimin e oksitocinës (substancë e ndërtuar prej 8 aminoacidesh e cila shkakton dhembjet e lindjes te grat shtatzëna dhe ndikon në rritjen e sekretimit të qumështit), të cilën e quan “hormoni i dashurisë”.

Dashuria është ilaçi më i fuqishëm, i njohur deri më sot.

Kur substanca e oksitocinës ju injektua pëllumbave, ata gjatë gjithë asaj kohe zhvillonin, si të thuash, ritualin e ledhatimit: kapardiseshin, i hipnin njëri-tjetrin mbi lafshë, e pastaj, disa minuta pas pranimit të injeksionit, edhe çiftëzoheshin. U dashtë shumë kohë që shkencëtarët ta dëshmojnë ndikimin e oksitocinës dhe rolin e saj qendrorë gjatë procesit të lindjes dhe latacionit (sekretimi i qumështit nga gjëndrat qumështore). Përveç asaj që stimulon rritjen e sekretimit të qumështit, oksitocina stimulon edhe kontraksionin e mitrës, e rëndësishme gjatë aktit të lindjes së fëmijës.
Gjatë aktit seksual, te dy partnerët lirojnë oksitocinë. Tek femrat, niveli i saj para orgazmës, është më i lartë se tek meshkujt. Por pavarësisht nivelit të saj, ky hormon i dashurisë luanë rolë të rëndësishëm gjatë aktit seksual për të dy gjinitë: tek meshkujt ndihmon në kontraksionin e prostatës dhe shtimin e spermatozoideve, ndërsa tek femrat, kontarksionin e mitrës, që ndihmon në bartjen e spermatozoideve deri tek vezorja.
Mirëpo ky hormon, nuk lirohet vetëm gjatë aktit seksual! Çdo vepër e mirë e njeriu, në kuptimin e plot të fjalës, provokon substancën e oksitocinës: edhe kur njeriu dhuron lule, edhe kurë falë një shikim të ëmbël, edhe kur e takon njeriun e dashur, edhe kur i lutet Perëndisë me dashuri por edhe atëherë kur vetëm mendon me dashuri. Përndryshe nuk ekziston kontradiktë në mes interpretimit të okstocinës si hormon i dashurisë dhe rezultateve kërkuese të atyre që i kanë studiuar hormonet tjera si estrogenin dhe progestorin. Estrogeni e aktivizon oksitocinën, dhe menjëherë pas lindjes, edhe hormonin amnorë, prolaktinën. Prolaktina dhe oksitocina e plotësojnë një-tjetrën, derisa endorfina, si opijat natyrorë, aktivizohet edhe tek nëna edhe tek fëmija dhe kështu krijon lidhje, varshmëri dhe dashuri mes tyre.
Eksperimentet e shumta të bëra në ketë drejtim, rezultojnë se fuqia e dashurisë, në masë të madhe, fillon në javët e para të zhvillimit të qenies, pra qysh në fetus, dhe kultivohet deri në çastin e lindjes, por edhe pas tij. Nuk thoshte kotë matematikani, fizikani dhe filozofi i njohur frances, Blaise Pascal: “Zemra i ka arsyet e veta, të cilat logjika jonë nuk i njeh” ose: “Fillimi dhe fundi janë dy gjëra që për njeriun do të mbetën gjithnjë sekret”.
Ndoshta ky shpjegim shkencorë na jep shkas që romantikës t’ia rikthejmë famën, sepse pa të, ndoshta nuk mund të ketë dashuri të shëndosh.

Sabir Krasniqi

Vazhdon...

Në vazhdimin tjetër, ndër të tjera do të lexoni:
Për dashurinë romantike;
Për trëndafilin dhe simbolikën e tij;
Për mendimin e poetit tonë, Naimit rreth trëndafilit;
Për “Ditën e të dashuruarve” dhe Shën Valentinin etj.



DASHURIA - KJO NDJENJË HYJNORE (IV)  
Kënga e Hasna Agës dhe çikës Poturesh

Shtëpia e dashurisë është zemra e çiltër.

Natyrisht, që tregimet e ndryshme për dashurinë romantike deri në flijim, nuk i kanë munguar as mitologjisë së lashtë shqiptare. Për fat të keq, për to, sot, ne dijmë fare pak, për të mos thënë aspak, ndoshta edhe jo aq shumë për fajin tonë!... Rrethanat e ndryshme historike, duket se kanë qenë gjithmonë në disfavor të paraardhësve tanë. Nuk është fare e çuditshme që shumë mite, të cilat sot konsiderohen si greke, apo romake, të kenë qenë thesar i Ilirëve. Historitë e shumta nga antikitet i vjetër na dëshmojnë manipulime të ndryshme për interes përvetësimesh, siç është edhe rasti i Erosit - Amorit ose Aresit -Marsit etj. Bile flitet se edhe origjinali i veprave të para të letërsisë Evropiane - Iliadës dhe Odiseut të Homerit, janë të shkruara në gjuhën ilire (shqipe)! Këtë tezë e mbështet edhe studiuesi Aristidh Kola në librin e tij “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”.
Mjerisht, vetëm disa prej tyre kanë arritur t’i rezistojnë deformimeve, manipulimeve, përvetësimeve etj. të dhunshëm që u aplikuan shekuj me radhë mbi mençuritë dhe vlerat e traditës sonë. Por falë gjeniut të mrekullueshëm popullor, ato, edhe pse të pakta, arritën të barten, në njërën apo tjetrën formë, edhe deri në ditët tona. Unë do të përqendrohem në njërin prej atyre tregimeve, gojëdhënave, legjendave apo miteve (quajeni si të doni), që është i njohur pothuajse për të gjithë ne - Kënga e Hasan Agës dhe çikës Poturesh. Një këngë që hyjnizon dashurinë e sinqertë, perlën e lumturisë, vlerën e së cilës nuk ka pasuri që mund ta shpaguaj dhe për të cilën ia vlen edhe të flijohet, siç ndodh rasti edhe me personazhet e kësaj ngjarjeje.
Në një vendbanim të Kosovës, jetonte një nënë me djalin e vetë. I takonin një familjeje agallarësh. Kur djali ishte i vogël, nëna e vet e dërgonte për t’i ruajtur vjetat (viçat). Duke kaluar nëpër lagjen e poturve, ai takohej me vajzën Poturesh, me të cilën edhe i ruanin vjetat s’bashku. Edhe pse të ri në moshë, ata bien në dashuri dhe i japin njëri - tjetrit besën, se vetëm vdekja mund t’i ndaj. Dhe kënga thotë:

Se n’potur vjetat kur po i qonë,

Me n’i çik po i ruan vjetet bashkë,

Ne mes veti fort kankan dasht,

Shoqi-shojt besën ja kanë dhanë,

Shoqit-shojt ja kanë dhanun besën,

Kur t’i bajna ka gjashtëmbëdhjetë vjet,

Na te dy kena me hy n’gjerdeke...

Kjo ndjenjë e pastër engjëllore, kjo shkëndijë e parë që shkrepi nga thellësitë e zemrave tek këta dy të rinj, do ta mbaj përjetësisht të ndezur pishtarin e dashurisë në shpirtin e tyre të çiltër dhe të njomë.
Vitet kalonin e Hasan Aga vinte gjithnjë duke lëshuar shtat. Nëna e tij dëshironte ta martoj, dhe filloi t’i kërkoj nuse ndër bejlerë. Kur merr vesh djali, i tregon historinë e dashurisë me vajzën Poturesh dhe besën e dhënë asaj. Meqë ajo vajzë i takonte një shtrese të ulët, nëna e tij e refuzon kategorikisht këtë martesë, duke ia përkujtuar Hasan Agës edhe fjalët e babait të tij:

Hajt Hasan mos u banë budall,

Poturshen nuse s’banë me marr,

Baba yt a dinë kosh asht kanë,

Baba yt asht kanë bajraktar,

N’sahat t’dekës e ka fol ni fjalë,

T’i gjithkanë nuse mos me nxanë,

E korit biro gjakun tonë....

Edhe këtu dalin në pah antagonizmat e dualitetit si pasoj e traditës, mentaliteti, xhelozisë, egos etj., të cilat i hasim edhe tek miti për Erosin dhe Psikën.
Mirëpo djali ishte i vendosur dhe nuk pranonte tjetër vajzë për nuse. Gjeniu popullor edhe këtu dashurinë e vendos mbi zakonet patriarkale, mbi amanetin (e babait) që konsiderohej, jo vetëm si akt i lartë morale, por edhe kanunor. Kjo e irriton nënë e tij, dhe pa dijen e djalit, ajo e fejon me një vajzë bejlerësh. Dhe për të mos i lënë hapësirë djalit, ajo cakton ditën e dasmës pas dy javësh. Thërret mbi 300 dasmorë, disa tupangjinjë, këngëtarë dhe në fund e njofton të birin, për të cilin tanimë gjithçka ishte vonë:

Dy javë vaden, po ma shumë se n’danë,

Merr tupan besa kangatarë,

300 krushq rrafsh po i bashkon,

Muhabet sa ç’mundet po u banë...

Bëhet dasmë e madhe dhe pasdite e bien nusen në shtëpi. Kur erdhi kohe për gjerdek (dhëndri), Hasan Aga nuk pranonte të futej brenda. Pas intervenime të shumta të familjarëve dhe nën ndikimin të dokeve e zakoneve të traditës, e detyrojnë që të ndërmarr këtë hap, natyrisht, jashtë dëshirës dhe vullnetit të tij. Ai futet brenda, ulet në një shkom (ulëse trekëmbësh prej druri) dhe fillon të pijë duhan. Rrinte heshtur dhe thithte cigaret pandërprerë njërën pas tjetrës, por as nuk merrte guximit që t’i fliste nuses së re e cila gjatë gjithë kohës qëndronte në këmbë.

Nusja kishte qëlluar fisnike. Ajo e vëren shqetësimin e Hasnit dhe pas një kohe bukur të gjatë, i drejtohet atij me këto fjalë:

A po ngon Hasan, po ja banë,

Qe tre sahat mrenda ke ardhë,

Ti me mua s’pe fol asnjë fjale,

A fort e keqe jam t’u t’ardhë,

A pak çejz e takëm me veta kam marr...

Këto fjalë e prekin zemrën e helmuar të Hasanit, i cili fillon dhe i rrëfehet nuses së re, duke i treguar për lidhjen e tij të dashurisë dhe besën e dhënë një vajze tjetër:

A po ngon, bre fisnike i kish thanë,

Nuk po m’dukesh e keqe, ja banë,

Me çejz boll e me takëm,

Shyhret Zoti ty t’paska falë,

Unë drejt tash po t’kallxoj,

Pa ize teme nona t’ka nxanë,

Kam dhanë besën tjetër kund...

Dhe këtu pastaj dalin në pah vlera e larta të fisnikërisë, besnikërisë, madhështisë e moralit të pashoq që e karakterizojnë shpirtin e gruas shqiptare; respektin ndaj dashurisë, fjalës së dhënë, besës etj. Këtë e dëshmojnë fjalët e saj drejtuar Hasanit:

A po ngon Hasna i ka thanë.

Edhe nantë nuse tjera t’i me i marr,

Une e dhjeta hyzmeqare kam me kanë...

Por djali kishte marr vendim të prerë. Duke mos pasur mundësi t’u kundërvihet zakoneve treditore e patriarkale, pasi një veprimi i tillë do ta poshtëronte familjen dhe fisin, ai vendos që të martirizohet për hir të dashurisë, vendim të cilin nusja e re e respektoi. Ai shkruan një letër dhe ia lë nuses amanet që nesër në mëngjes t’ia jep nënës së tij, e ajo, pasi ishte analfabet, atë letër t’ia dërgoj hoxhës së fshatit që ai ta lexoj para dasmorëve. Atëherë nxjerr thikën nga brezi dhe vetëvritet:

Hasan Aga me pa çka po banë,

Thikë t’xehrume vetes po i m’shonë,

Pa pik t’shpirtit ranën koka konë...

Për t’ia dhënë aktit tragjik të vetëvrasjes kuptimin bindës, pra, për të mënjanuar çdo dyshim në vendimin, në vendosmërinë e personazhit, edhe këtu gjeniu popullor e gjene shprehjen shumë të përshtatshme duke përmendur, përveç armës, edhe helmin (xeher).
Në shenjë nderimi dhe respekti të thellë për Hasanin, nusja, e mbulon atë me çarçafët e çejznisë, dhe i qëndron tek koka gjatë gjithë natës pa vënë gjumë në sy.
Në mëngjes, kur djali e as nusja nuk po dukeshin gjëkundi, afrohet nëna e Hasanit dhe troket tek dera. Nusja nuk ja hapë derën, por i thotë që të afrohet tek dritarja. Duke ia dhënë letrën, i drejtohet Hallës:

Tu ja zgjat letrën, hallë i ka thanë,

Ta ka nxanë djalin gjumi i randë,

Ni amanet ai ta ka lanë,

Se për jetë ky gjumë s’ka me dalë...

Dhe me sa sentencë, sërish gjeniu popullor, arrin të shprehet përmes vargjeve të mësipërme, edhe kur bëhet fjalë për lajme të hidhura, për kumte pikëllues, si ç’është rasti i Hasan Agës.
Nëna e Hasanit, pa frymë, vrapon drejt e te Hoxha, që ishte në mesin e dasmorëve të cilët festonin akoma. Sapo i lexon rreshtat e parë, hoxhës fillojnë t’i rrjedhin lotët për faqe, dhe gjithë dasmorët shpërthejnë në vajë.
Përmes këtij amaneti, Hasani mundohet t’ia dërgoj më të dashurës së tij, mesazhin e fuqishëm, për besën e dhënë, për dashurinë e çiltër e cila nuk u zbehë asnjëherë në shpirtin e tij, e të cilës ai i mbeti besnik:

A në vorre ju kur t’më qoni,

Hiç tupanat ju mos t’i ndalni,

Me m’shetit kah jam kanë me vjeta,

Kah mahalla, besa Paturesha...

Derisa po kalonin përmes lagjes së poturve, vajza e vërën këtë dukuri të pazakontë (sepse nuk kishte ndodhur kurrë që të varroset dikush me dajre), dhe thërret nënën e vet duke ju drejtuar:

Paja, paja, o e jemja nanë,

Ni xhenaze n’vorre po e çojnë,

A me dajre nanë me tupan...

Kur nëna i tregon se ishte Hasan Aga, që ishte martuar mbrëmë, vajza stepet! I kërkon leje nënës që ta shoh më afër, dhe rrufeshëm i del përpara kortezhit mortor. E lutë hoxhën që të ndalojnë dhe t’ia lëshojnë kufomën përpara:

E përpara hoxhës i ka dalë,

Këtë xhenaze t’lutna me ma nal,

Se me ta, herët jena dashuru,

Se me ta, moti jena besatu,

Kur t’i bajna ka gjashtëmbëdhjetë vjet,

Na te dy kena me hy n’gjerdeke,

Hajt medet s’kanka kanë kysmet...

Atëherë vajza hidhet mbi kufomë dhe fillon ta vajton. Kur hoxha merr vesh lidhjen e këtyre te dyve, ia tregon vajzës amanetin e fundit të Hasan Agës. Ajo menjëherë e kupton mesazhin e letrës... Dhe këtu sërish shfaqet fuqia e ndjenjës së dashurisë, energjia e saj e pafund të cilën nuk arrin ta sfidojë as vdekja. Kthehet me vrap në shtëpi, merr një thikë, del para turmës dhe ja lë hoxhës amanet që ta varrosin pranë tij. Afrohet pranë trupit të pajetë të Hasanit, nxjerr thikën ia ngul vetes dhe bie mbi të:

Amanet hoxhë i ka thanë,

Se ngatë tij vorrin me ma lanë,

Thikë t’xehrume vetes i ka m’shue,

Mbi trup t’Hasnait, trupi saj asht palue...

Me këtë akt gjeniu popullor simbolizon, jo vetëm formën më të lartë të besnikërisë e sakrificës, por edhe bashkimin e përjetshëm të dy zemrave që nuk arritën të bashkohen në këtë jetë e që tani përqafoheshin në përjetësi.
Por gjeniu ynë popullor, as këtu nuk ka harruar, që përkraha dashurisë romantike, ta fusë edhe elementin e dashurisë amnore, që është po aq i fuqishëm sa edhe format tjera të dashurisë universale, dashurisë hyjnore. Por, njëkohësisht, edhe elementin e pendesës.
Kur merr vesh nëna e Hasanit për flijimin edhe të çikës Poturesh, ajo e ndjenë në shpirt barrën e fajit dhe me vrap i del turmës para, që vinte duke u shtuar gjithnjë e më shumë në shenjë nderimi e respektit për martirët e dashurisë. E ndalon turmën, ia lë hoxhës amanet që ta varrosin në mesë të birit dhe çikës Poturesh, nxjerr thikën dhe vetëvritet edhe ajo.
Vargjet e më poshtme, gjithashtu, përmbajnë një mesazh, sa prekës aq edhe të domethënës. Përmes tyre hyjnizohet dashurinë e sinqertë, e cila edhe në këtë këngë, nuk shuhet për asnjë moment, nuk tretet asnjëherë, nuk vdes me trupin, por lind sërish, e re dhe më e fuqishme, ringjallet si feniksi, merr formën e energjisë universale, rrezet e së cilës shndrisin pafundësisht:

Kohë e pranverës ishte kanë,

E do lule mbi vorre po lulojnë,

Mbi vorr t’djalit lule trandafil,

Mbi vorr t’çikes lule karafil...

Aq i madh konsiderohej mëkati i hallës, sa që gjeniu popullor, nuk mund ta shfajësonte, pavarësisht flijimit të saj. Derisa për djalin dhe vajzën, ai zgjesh trëndafilin dhe karafilin, si simbolikën e bukurisë, parajsës, për hallën ai zgjedh therën, si simbolikë e së shëmtuarës, ferrit, pasi ajo, me veprime djallëzore, kishte penguar bashkimin e dy zemrave, kishte shkatërruar lumturinë, kishte ndërprerë ëndrrën engjëllore... duke i detyruar ata të kryejnë aktin tragjik:

Mbi vorr t’halles therr paska bi,

A ni therr që shkojke përpjet,

Si le lulat medet me u përpjek,

I përpjektë Zoti ani n’ahiret.


Fuqia e dashurisë

Fuqia e dashurisë është më e madhe se fuqia e mbretërve..., pa dashuri s’do të kishte as njerëz, as mbretër.

Nuk e di se a ka shembull më të mirë, se tregimi i mësipërm, për ta përshkruar fuqinë e dashurisë. Mjerisht, ne si popull më i lashtë në truallin Ballkanit, nuk patëm fatin, që botës t’ia prezantojmë vlerta tona madhështore. Ne nuk e patëm një Apulej (ose na përvetësuan të tjerët), që t’i ngrit edhe mitet tona në piedestalin e merituar, edhe pse tregimi ynë ngjason shumë me mitin e famshëm mbi Erosin dhe Psiken, por me një ndryshim, sepse personazhet tanë përfundojnë tragjikisht, sikurse tek vepra e Shekspirit. Por neve edhe Shekspiri na mungonte që tragjedinë e Hasanit dhe çikës Poturesh, ta bëjë të famshme m’u sikurse dashurinë e fuqishme të Romeos dhe Zhulietës, që u bënë, po ashtu, viktimë e urrejtjes së familjarëve të tyre, dhe përfunduan, sikurse personazhet tanë, tragjikisht. Ne, po ashtu, nuk arritëm që mitin e personazheve te këngë sonë ta lartësojmë në nivelin e miti të Tristanit dhe Isoldës, të cilët, fuqia e dashurisë i shtyri t’i thyejnë të gjitha rregullat dhe ligjet religjioze e shoqërore të kohës, dhe për hir të saj edhe të viktimizohen. Ne nuk e patëm as edhe një Tolstoj, që me këtë tregim, ta magjeps opinionin botëror sikurse me romanin e tij “Ana Karenian”, kur personazhet, në ndikimin e fuqishëm të dashurisë, sfidojnë edhe “normat morale” duke u ballafaquar me konflikte, vuajtje... dhe një përfundim tragjik... Por ne patëm gjeniun tonë popullorë, i cili, ndonëse nuk ishte gjeni i penës e letrës, por gjithësi, ishte gjeni i fjalës së shpirtit; i cili, diti t’i ruajë këto vlera, me krenari po edhe me xhelozi, dhe përmes këngës dhe formave tjera, arriti t’i trashëgoj, shekuj me radhë, deri në ditët tona. Dhe pa më të voglin dyshim, pa asfare hezitimi, vlerësoj se ky tregim apo mit shqiptar, ose kjo tragjedi e dhembshme shqiptare, ia kalon edhe tragjedisë shekspiriane “Rome e Zhulieta”, edhe mitit për “Tristanin dhe Isoldën, edhe romanit të Tolstojit “Ana Karenina” por edhe shumë miteve e veprave të tjera që edhe sot e kësaj dite konsiderohen si kulmi i letërsisë dhe arti romantik. E them me bindje të plotë këtë, pasi në këtë histori gërshetohet një univers i tërë elementesh si: filozofik, psikologjik, estetik, etik etj. Element të dashurisë romantike, element të dashurisë amnore, element të dashurisë njerëzore, me një fjalë, element të dashurisë hyjnore. Por gjithashtu, tregimin tonë e karakterizojnë edhe element të tjerë si: morali, besnikëria, fisnikëria, e bukura dhe e madhërishmja, por edhe xhelozia, tradhtia, e shëmtuara dhe tragjikja, që nuk i përmban si tërësi, asnjëra nga veprat e lartpërmendura.
Nuk besoj se ka njeri që kjo ndjenjë të mos ja ketë përshkuar, s’paku një herë, trupin, shpirtin dhe zemrën e tij. Secili nga ne e ka përjetuar ndjenjën e dashurisë, këtë energji madhështore por edhe hyjnore. E them hyjnore, pasi cili burim i energjisë është më i fuqishëm se ndjenja e dashurisë? A ka gjenerues më të fuqishëm se sa dashuria? Ajo vë në lëvizje çdo qelizë të organizmit tonë. Fryma e dashurisë është fryma e jetës. Ajo nuk njeh kufij, nuk njeh barriera, nuk njeh sfida, nuk dallon gjini, moshë, kombe, raca...
Sa dridhje zemrash, sa lot gëzimi apo hidhërimi, sa net pa gjumë, sa ëndrra pa fund, sa shpresa njerëzore, sa lutje shpirtërore sa...e cili njeriu nuk ka gjetur fuqi frymëzuese tek kjo ndjenjë e madhërishme e dashurisë?
Sa bukur, sa ëmbël, sa këndshëm, sa tërheqëse e magjepse tingëllojnë fjalët: ti je shpirti im; ti je zemra ime, ti je jeta ime, andaj të dua përjetësisht. A nuk kanë vërtet kuptim e fuqi hyjnore këto thënie të mrekullueshme - simbolikë e materiales, simbolikë e shpirtërores. Këtu nuk aludoj vetëm në dashurinë romantike (kur i thonë të dashuruarit njëri-tjetrit), por në konceptin e përgjithshëm të të kuptuarit të dukurisë së quajtur dashuri, pra edhe në dashurinë prindërore (kur i thotë nëna fëmijës).
Edhe pse dashuria prindëror, shpeshherë analogjizohet me instinktin, në të vërtet, ajo nuk ka ndonjë lidhshmëri të fuqishme me të. Në realitet, burimi fillestar i saj fillon që nga lindja (ardhja në jetë), por kultivohet dhe merr përmasa të caktuar në raport me faktorët e tjerë kohorë. Në shoqëritë, ku relacioni prind-fëmijë është në lidhje të ngushtë emocionale, aty edhe afërsia mes tyre, lidhshmëria mes tyre, pra energjia e dashurisë, është më fuqishme. Një koherencë e tillë është padyshim primare edhe akoma shumë e fuqishme edhe në shoqërinë tonë shqiptare. Për ne fëmija është gjëja më e çmuar, prandaj edhe dashuria për të, pothuajse, është mbi të gjitha. Dhe natyrisht, kjo nuk do shumë koment: të gjithë ata që janë prindër, u është e njohur kjo ndjesi. Padyshim, se secili prej tyre, edhe pa më të voglën mëdyshje, do të sakrifikonte, gjithçka, pra, edhe jetën, për hir të dashurisë që ushqen ndajë fëmijës të tij, i cili, në realitet, edhe është frutë i ndjenjës së dashurisë. E rastet e shumta të sakrificës deri në flijim, për hir të dashurisë prindërore, na janë të njohura të gjithëve.
Shikojeni fuqinë e dashurisë edhe tek besimtarët, pavarësisht se cilës fe i takojnë. Një besimtarë i devotshëm, me sa përkushtim, respekt e dashuri i drejtohet Perëndisë. Në shpirtin e besimtarit, dashuria ndaj Zotit, që konsiderohet si forma më e lartë e dashurisë njerëzore, njëkohësisht, ngjallë dashurinë edhe ndaj vetës por edhe ndaj të tjerëve, pasi ne jemi krijesa të tij, të krijuara sipas shëmbëlltyrës së tij. Dhe nganjëherë kjo dashuri është aq dominuese, sa që vë në pah gatishmërinë për çdo lloj sakrifice. Shembull më i mirë për këtë është sakrifica e Jezuit apo Isait, i cili nuk kishte bërë kur ndonjë mëkat personal, por vetëm për hir të dashurisë njerëzore, u gozhdua për së gjalli.
Kjo është dashuria Hyjnore, manifestimi i vet Zotit brenda shpirtit të njeriut, dashuria e tij e derdhur në zemrat tona. Dhe këtë dashuri e hasim në përmbajtjen esenciale të secilës doktrinë fetare, nga krishterimi e deri tek budizmi. Të gjitha religjionet predikojnë dashuri, të cilën edhe e konsiderojnë si virtytin më të lartë njerëzor. Sa bukur e thotë këtë Shën J. Klimakos: “Kur e tërë qenia e njeriut është e përzier me dashurinë e Zotit, atëherë trupi, si një pasqyrë, tregon shkëlqimin e shpirtit ë tij”.
Kur është fjala te fuqia e dashurisë, nuk mund të mos i përmend edhe vitet e lavdishme të pajtimit të gjaqeve. Sa e sa njerëz, të gjymtuar fizikisht e shpirtërisht nga kjo murtajë e mallkuar, falën gjakun e më të dashurve të tyre, vetëm e vetëm për hir të dashurisë ndaj atdheut, për hir të dashurisë njerëzore. A nuk është kjo vërtet Hyjnore?
Prandaj, le ta hedhim farën e dashurisë në zemrat tona, le ta kultivojmë këtë ndjenjë Hyjnore. Kur dashuria kultivohet, ajo bëhet pjesë e përhershme e qenies sonë, bëhet një çelës që hap çdo portë, bëhet një pishtar që ndriçon secilën rrugë, një shkëndijë që ndez secilën zemrën, një ndjenjë që zbukuron dhe shenjtëron shpirtin.

Fund

 
 
  www.arbnor-gashi.page.tl  
 
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=